Shifrat rrëzojnë koncesionin! Lekaj-Fier, financat e koncesionarit nuk justifikojnë investimin “320 mln euro”

07/12/2022 19:33

Rruga Lekaj – Fier do të jepet me koncesion për 35 vite tek 8 subjekte, por si do të financohet ajo? Shumën prej 320 milionë eurosh që kompanitë kanë deklaruar, por a janë në gjendje ato të marrin një kredi të tillë?

Nëse shohim bilancet e kompanive që do të ndërtojnë rrugën, ajo që kryeson është Fusha shpk, e cila në vitin 2020 dhe 2019 raportonte të ardhura në vlerën e 3 miliardë lekë, ndërsa fitimi i kompanisë nuk arrin më shumë se 150 – 200 milionë lekë në vit, apo rreth 2 mln euro.

Ndërkohë kompania tjetër Agbes Construction raporton në total aktive prej 1.8 miliardë lekësh, ndërsa fitimi në vlerën e 183 milionë lekëve në 2020-ën.

Albavia kompania tjetër raporton një total aktivesh prej 1.6 miliardë lekësh, ndërsa fitimi në 2020-ën arriti në 63,8 milionë lekë.

Kompania Kupa raporton të ardhura në nivelin e 743 milionë lekëve në 2020-ën, ndërsa fitimi për këtë periudhë është në 24 milionë lekë, ndërsa në 2019-ën kjo kompani ka rezultuar me humbje.

Ante Group raporton të ardhura në nivelin e 1 miliardë lekëve, ndërsa fitimi për 2020-ën ishte 78 milionë lekë.

Klodioda ndërkohë raporton të ardhura në nivelin e 46 milionë lekëve për 2019-ën, ndërsa fitimi është në nivelin e 12 milionë lekëve.

Altea Geostudio raporton xhiro vjetore në 181 milionë lekë, ndërsa fitim para tatimit në nivelin e 11.7 milionë lekëve.

Sphaera në 2020-ën raportonte xhiro në nivelin e 22 milionë lekëve, ndërsa fitimi ishte në 678 mijë lekë dhe ka një fitim të pashpërndarë prej 38 milionë lekësh.

Këto 8 kompanitë me të ardhurat që kanë raportuar në vitin 2020 nuk kalojnë nivelin e 8.7 miliardë lekëve së bashku, ose 70 milionë euro, ndërsa rrugës i duhet një financim prej 38 miliardë lekësh ose 320 milionë euro.

Fitimet e tyre të periudhës së bashku apo gjendja e parave që kanë në dispozicion është në nivelin e 560 milionë lekëve apo 4 milionë eurove.

Në këto kushte ato duhet t’i drejtohen bankave tregtare për të financuar investimin në rrugën Lekaj – Fier. Por a do të kreditojnë bankat këtë grup kompanish që së bashku bëjnë 4 milionë euro fitime.

Në një rast të ngjashëm, për rrugën Milot-Balldre, koncesionari dështoi sepse asnjë bankë nuk pranoi ta kreditonte.

Qeveria pranoi dështimin për këtë rrugë dhe e anuloi koncesionin 260 milionë euro dhënë një kompanie me bilance financiare modeste. Por ndërkohë në kushtet kur normat e interesit po pësojnë një rritje të konsiderueshme në të gjithë botën, një kredi tregtare e këtyre kompanive pothuajse do ta dyfishonte vlerën e investimit.

Dhe kështu koncesionari justifikon 35 vitet e mbajtjes së rrugës, pasi llogarit shlyerjen e investimit, por edhe fitimin që duhet të krijojë, ndërsa shteti i vë garanci për 8 vitet e para.

Top Channel