Kultivonin lëndë narkotike në magazinë/ Vihet në pranga pronarja, shpallen në kërkim vëllezërit dhe nën hetim punonjësit e OSHEE-së

07/12/2022 09:59

Kultivimi i lëndëve narkotike në një magazinë ka sjellë arrestimin e pronares së ambientit File Vuksani dhe hetimit në gjendje të lirë të një 43-vjeçareje për shkak të gjendjes shëndetësore.

Policia ka shpallur në kërkim bashkëshortët e tyre Ujk dhe Gjovalin Vuksani, të cilët janë vëllezër me njëri tjetrin, si bashkëpunëtorë në këtë veprimtari.

“Shpallen në kërkim bashkëshortët e tyre (vëllezër), të 2 bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale. Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetases F. V., 54 vjeçe, banuese në fshatin Jeran, Malësi e Madhe, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë, për shkak të gjendjes shëndetësore, për shtetasen M. V., 43 vjeçe, banuese në fshatin Jeran. Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasi U. V., 61 vjeç (bashkëshorti i shtetases F. V.) dhe vëllai i tij, shtetasi Gj. V., 56 vjeç (bashkëshorti i shtetases M. V.), të dy banues në fshatin Jeran, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”. Këta 4 shtetas dyshohet se kanë bashkëpunuar më njëri-tjetrin, për të kultivuar bimë narkotike cannabis sativa, në një magazinë në pronësi të shtetases së arrestuar F. V., në fshatin Jeran, Malësi e Madhe”, shkruhet në njoftimin e policisë.

Për shkak se në godinë ishin vendosur llamba që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, janë hetuar në gjendje të lirë katër punonjës të OSHEE-së në Malësinë e Madhe, për shpërdorim detyre.

“Në vijim të veprimeve për këtë rast u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit:  A. S., 23 vjeç, E. B., 37 vjeç, të dy banues në fshatin Gruemirë, I. D., 50 vjeç, banues në Koplik dhe F. D., 54 vjeç, banues në fshatin Bajzë, punonjës të OSHEE Malësi e Madhe”, shtohet më tej.

Pas verifikimeve të bëra janë sekuestruar 90 bimë narkotike kanabis, të kultivuara në vazo, dhe 24 llamba e pajisje të ndryshme elektrike.

Kjo është faza e 10-të e operacionit policor të koduar “Qarku”, për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, që zhvillohet në Malësinë e Madhe.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Top Channel