Prezenca e OSBE-së në Shqipëri i ka uruar shërim të shpejtë ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili u dhunua nga një 31-vjeçar gjatë protestës.
OSBE shprehet e trishtuar për incidentin e ndodhur, ndërsa bën thirrje që të shmangen spekulimet ndërkohë që hetimet vijojnë.
“Urime Shqipërisë për mbajtjen e suksesshme të samitit BE-Ballkan Perëndimor dhe për operacionin e madh të sigurisë që e shoqëroi. Jemi të trishtuar, megjithatë, për incidentin gjatë protestës së opozitës. Liria e tubimit është një e mirë themelore e demokracisë. U urojmë të lënduarve shërim të shpejtë dhe u bëjmë thirrje të gjithëve të shmangin spekulimet dhe vetëdrejtësinë ndërkohë që hetimet vijojnë”, sipas njoftimit.
31-vjeçari Gert Shehu goditi me grusht Berishën këtë të martë, gjatë protestës së organizuar nga opozita. Pas këtij akti të rëndë, ai është dhunuar nga bodygradët e Berishës dhe simpatizantë të tjerë që ishin të pranishëm.
Menjëherë pas ngjarjes, në media qarkulloi një dokument ku përcaktohej diagnoza klinike e tij, e cila ishte vënë në dispozicion nga familjarët, ku tregohej se ai vuan nga çrregullime psikotike dhe trajtohej prej vitesh.
Policia ka sqaruar se autori ka precedentë të mëparshëm kriminalë, për plagosje, prishje të qetësisë publike dhe në fushën e narkotikëve.
Top Channel