Një person i dënuar për shpërndarje të kanabisit dhe plagosje dhe me çrregullim psikik të papërcaktuar gjurmoi liderin e opozitës teksa përshkonte bulevardin bajram curri për të shkuar në protestën e thirrur në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe kur turma mbërrit para kishës katolike ai shfrytëzoi një shpërqëndrim të truprojave për të goditur me grusht në fytyrë duke e gjakosur në faqe dhe hundë.
Ish-kryeministrit iu deshën disa minuta që të mblidhte veten për të vijuar marshimin ndërsa agresori i cili u identifikua si 31- vjeçari Gert Shehu u neutralizua.
Truprojat e Sali Berishës dhe ish-zëvendësdrejtori i policisë Tiranë Erzen Breçani e shoqëruan në Selinë Blu aty ku iu dorëzua policisë.
Për shkak të dëmtimeve të marra gjatë neutralizimit Gert Shehu u dërgua për ndihmë mjekësore në spitalin e Traumës. Ai po hetohet për goditje për shkak të detyrës.
Policia nuk mundi të marrë një deklarim mbi motivet e këtij sulmi por në deklarimet paraprake 31-vjeçari është shprehur se akti i dhunës ishte porosi e një vëllai mysliman.
Policia e Tiranës njofton se familjarët e 31-vjeçarit kanë dorëzuar një kartelë mjekësore të bërë në një klinikë private ku thuhet se problemet psikike të tij kanë nisur që në qershor të 2018 ku është diagnostikuar me çrregullim psikik të papërcaktuar. Episodin e fundit e ka pasur në gusht të këtij viti ku është paraqitur në urgjencën psikiatrike.
Në tetor të 2015 ai është arrestuar si shpërndarës kanabisi në kryeqytet ndërsa një vit më parë është arrestuar për plagosje.
Top Channel