“Ulje e tarifave Roaming”, marrëveshja që pritet të nënshkruhet në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë

05/12/2022 22:26

Një marrëveshje për tarifat Roaming mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimi Europian pritet të nënshkruhet nesër në Tiranë, në samitin BE-Ballkani Perëndimor.

Gazetari Muhamed Veliu, në një lidhje direkte nga stadiumi “Air Albania” për Top Story raporton se do të firmoset një marrëveshje dakordësie, që cakton uljen e tarifave në vitin 2023, për të vazhduar me ulje të tjera në vitet e ardhshme.

Tema kryesore që do të diskutojnë liderët europianë të martën në Tiranë do të jetë për mënyrën se si do të trajtohen pasojat negative në energji dhe sigurinë ushqimore në Ballkanin Perëndimor.

Tema e dytë e diskutimit të liderëve do të jetë përforcimi i marrëdhënieve politike mes vendeve, ku fokusi do të jetë te të rinjtë.

Së treti, në fokus do të jetë siguria kibernetike dhe manipulimi informacionit.

Po ashtu, do të diskutohet menaxhimi i emigracionit, ku udhëheqësit do të shkëmbejnë pikëpamjet për trajtimin e përbashkët të problemit që është gjithnjë e më shumë në rrije. Kjo pikë përfshin harmonizimin e politikës së vizave të BE-së dhe bashkëpunimin në sistemet e kthimit.

Top Channel