Anglia fitoi lehtësisht 3-0 ndaj Senegalit dhe siguroi kualifikimin në çerekfinalet e “Katar 2022”. Në fillim ishte Jordan Henderson që zhbllokoi rezultatin pas një asisti të bukur nga Jude Bellingham, ndërsa në minutat shtesë erdhi edhe zhbllokimi i kapitenit Harry Kane.
Sfidën e vendosi Bukayo Saka me golin e tij në fraksionin e dytë.
Në prononcim pas përfundimit të sfidës, tekniku Gareth Southgate u shfaq i kënaqur me ekipin e tij. Në veçanti vlerësoi dyshen e mesfushës Bellingham–Henderson.
“Jam i kënaqur me saktësinë tonë para portës dhe mënyrën sesi skuadra punoi. Ne nuk e nisëm sfidën mirë dhe vuajtëm në minutat e para, pasi Senegali kishte shumë energji dhe po ushtronte presion. Mundësitë tona më të mira erdhën nga rifitimi i topit, mendoj se Bellingham dhe Henderson ishin të jashtëzakonshëm në këtë aspekt, fenomenalë. Harry Kane gjeti rrugën e rrjetës, por mendoj se loja e tij është më e rëndësishme për ne. Sot ai luajti shumë mirë, sidomos në pjesën e dytë të ndeshjes.”
Në çerekfinale Anglia do të përballet me kampionët e botës në fuqi. Southgate vlerësoi Francën dhe deklaroi se për të avancuar më tej, Anglia duhet të luajë sfidën më të mirë të mundshme.
“Franca është një ekip i jashtëzakonshëm me rekorde të shkëlqyera dhe individë të mrekullueshëm. Ne do të duhet të luajmë në nivelin tonë më të mirë të mundshëm.”
Top Channel