Pas shqetësimeve për shëndetin, reagon vetë legjenda e futbollit botëror, Pele’.
Në spitalin brazilian ku po trajtohet nga e marta, pasi nuk i funksionoi kimioterapia dhe u dërgua në terapi intensive, 82-vjeçari, tre herë fitues i Kupës së Botës dha një mesazh qetësues në Instagram:
“Miqtë e mi, dua t’i mbaj të gjithë të qetë dhe pozitivë. Jam i fortë, me shumë shpresë dhe e ndjek trajtimin si zakonisht. Dua të falënderoj të gjithë ekipin mjekësor për gjithë kujdesin që kam marrë.
Unë kam shumë besim te Zoti e çdo mesazh dashurie që marr nga ju në të gjithë botën, më mban plot energji. Dhe të shikoj Brazilin në Kupën e Botës gjithashtu. Faleminderit shumë për gjithçka!”
Mjekët e spitalit siguruan se mbetet në gjendje të qëndrueshme shëndetësore. Deklarata e 24 orëve të fundit ishte disi më optimiste sa i përket gjendjes shëndetësore të Pele’-së.
“Pati një infeksion të frymëmarrjes. Po ashtu, po i nënshtrohet një rivlerësimi të trajtimit të kimioterapisë”.
Në shtator të vitit të kaluar, iu hoq një tumor nga zorra e trashë. Bota e futbollit vërshoi në mesazhe mbështetëse:
Kapiteni i Anglisë, Harry Kane:
“Bëhemi shumë të trishtuar kur dëgjojmë lajmet se ai është i sëmurë. Unë, i gjithë ekipi i Anglisë i urojmë të bëhet sa më mirë! Ai është një frymëzim, një person i jashtëzakonshëm”.
Ish-sulmuesi gjerman, fitues i Kupës së Botës, Jurgen Klinsmann:
“Pele’ është thjesht një person kaq i mrekullueshëm. Personaliteti i jashtëzakonshëm i futbollit botëror. Ne thjesht mund të lutemi dhe të shpresojmë për më të mirën!”
Ish-mbrojtësi i Argjentinës, Pablo Zabaleta:
“Është një lajm shumë i trishtuar të dëgjosh për Pele’-në. Ai ka qenë një frymëzim i vërtetë për të gjithë ne, brenda dhe jashtë fushës. Ai ka qenë gjithmonë një njeri i madh”.
Top Channel