Argjentina fitoi 2-1 ndaj Australisë dhe siguroi kualifikimin në çerekfinalet e Kupës së Botës, raund në të cilin do të përballet me Holandën për një biletë mes katër Kombëtareve më të mira në Katar 2022.
Leo Messi zhbllokoi takimin me një gol të bukur në minutën e 35’, duke gjetur golin numër 9 në një Kupë Bote në takimin numër 1000 në karrierën si profesionist.
Gol i veçantë dhe historik për kapitenin, i cili gjen golin e parë në duelet me eliminim direkt në Botëror. Argjentina dyfishoi në minutën e 57’ me anë të Julian Alvarez, i cili shfrytëzoi një gafë fatale të portierit dhe kapitenit të Australisë, Matheë Ryan. Australia rihapi takimin pas një autogoli të Enzo Fernandez në minutën e 77’.
I pafat lojtari i talentuar i Benfikës, ndërkohë që minutat e fundit u bënë dramatike. Australia ishte afër barazimit katër minuta më vonë, por Lisandro Martinez shpëtoi portën e tij duke i mohuar Aziz Behich një eurogol.
Lautaro Martinez humbi tri mundësi të mira për të shënuar golin e qetësisë, ndërkohë që në sekondat e fundit portieri Emiliano Martinez kreu një pritje të madhe ndaj Garang Kuol, duke evituar minutat shtesë. Në fund çlirim dhe festë argjentinase në stadiumin “Ahmad bin Ali Stadium”./ Super Sport
Top Channel