Bordi mblidhet të shtunën/ Manovrat me çmimin e naftës, sot e ul 5 lekë çmimin që ngriti dje me 8 lekë për litër

03/12/2022 14:53

Me dy vendime njëri pas tjetrit, Bordi i Naftës e rriti çmimin e naftës me tre lekë më shumë në total, ndërkohë që vendet fqinje si Maqedonia e Veriut e kanë ulur atë.

Pak ditë më parë Bordi u mblodh me shumë vonesë për ulur çmimin e naftës duke e çuar atë në 206 lekë. Në kohën kur nuk kishte bord, çmimi i naftës ishte 195 lekë për litër, nisur nga fakti se sa u ul nafta në bursa.

Bordi në atë moment nuk i shërbeu qytetarëve, por i fiksoi çmime abuzive. Pas 24 orësh bordi njoftoi se do rriste çmimin e naftës me 8 lekë duke e çuar atë në 2014 lekë me arsyetimin se në bursa nafta u shtrenjtua.

Rritja ishte shumë e shpejtë, ndërkohë që në Maqedoninë e Veriut vazhdonte ulja e çmimit. Ndërsa këtë të shtunë bordi u mblodh për të ulur çmimin me 5 lekë.

Në fund të gjithë këtyre veprimeve Bordi vetëm ka bërë një rritje të çmimit të naftës me tre lekë për litër, dhe shumë më lart se sa duhet të ishte çmimi i naftës nëse do ishte treg i lirë.

Top Channel ka treguar gjatë ditëve në vijim se Bordi reflekton më shumë ngritjen e çmimit, ndërsa kur çmimi ulet në bursa, reflektimi vjen me vonesë dhe zakonisht çmimi fiksohet më lart seç duhet të jetë.

Kontrasti qëndron edhe me Maqedoninë fqinje, e cila në datë 1 dhjetor e uli çmimin edhe më shumë me 4 lekë.

Kërkesa globale për naftë ka rënë, gjë e cila ka sjellë uljen e çmimit, pasi importuesi më i madh Kina po kalon një betejë të vështirë me kufizimet e COVID, që ka ngadalësuar ekonominë aziatike.

Top Channel