Telenovela” Johnny Depp-Amber Heard mund të përfundojë sërish në një sallë gjyqi.

Disa muaj pas një gjykimi në favor të aktorit në një gjyq për shpifje me ish-bashkëshorten e tij, e cila u urdhërua për të paguar 10.4 milionë dollarë, Heard kërkon hakmarrje duke apeluar vendimin dhe duke kërkuar një gjyq të ri.

Sipas dokumenteve ligjore nga një gjykatë në Virxhinia, avokati i Heard argumenton se gjyqi u zhvillua në shtetin e gabuar (Virxhinia) kur duhej të zhvillohej në Kaliforni, ku të dy paditësit janë banorë.

Ai gjithashtu kundërshton vendimin e gjyqtarit për të përjashtuar disa nga provat, duke përfshirë shënimet e psikologëve që dokumentojnë abuzimin e supozuar. Në bazë të këtyre dhe konsideratave të tjera, kërkohet që vendimi të shfuqizohet ose me refuzimin e kërkesave të Depp ose me një gjykim të ri.

Bëhet e ditur se së fundmi më shumë se 130 nënshkrues, kanë publikuar një peticion në mbështetje të aktores Amber Heard. Në letër, grupet feministe, duke përfshirë Organizatën Kombëtare për Gratë, shprehën mbështetje për Heard dhe dënuan bullizmin me të cilin ajo është përballur. Grupe që trajtojnë ndërgjegjësimin për sulmet seksuale dhe dhunën në familje nënshkruan në peticion gjithashtu.

Heard është përballur me një sulm abuzimi dhe talljeje, veçanërisht në mediat sociale, ku fansat e Depp e akuzuan atë se ishte duke gënjyer në lidhje me deklaratën e saj për dhunën në familje gjatë marrëdhënies me Depp.

Rikujtojmë se disa ditë më parë CelebTattler analizoi tendencat e kërkimit në Google në vitin 2022, duke gjurmuar mbi 150 personazhe të famshëm dhe duke zbuluar personat më të kërkuar për këtë vit. Amber Heard, qëndronte në vendin e parë si më e kërkuara në Google për këtë vit. Amber kryesoi listën, me një mesatare prej 5.6 milionë kërkimesh çdo muaj në SHBA.

Top Channel