Legjenda e futbollit brazilian Pele tha të enjten në një postim në Instagram se ndodhet në spital për një vizitë mujore dhe falënderoi mbështetësit e tij për mesazhet pozitive që ka marrë.
Ish-sulmuesi 82-vjeçar, i njohur si një nga lojtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, ka postuar një foto në të cilën fytyra e tij është projektuar në një ndërtesë në Katar, pranë një mesazhi që thotë “Shërim të shpejtë”.
“Miq, unë jam në spital duke bërë vizitën time mujore. Është gjithmonë mirë të marrësh mesazhe pozitive si ky. Faleminderit Katarit për këtë nderim dhe të gjithëve që më dërgojnë mesazhe të mira!”, shkroi Pele në Instagram.
Të martën, Pele u shtrua në një spital në Sao Paulo për të rivlerësuar trajtimin e kancerit pasi iu hoq një tumor nga zorra e trashë në shtator 2021.
Pele, i cili ka udhëhequr Brazilin drejt tre titujve të Kupës së Botës – 1958, 1962 dhe 1970 – ka vuajtur probleme shëndetësore vitet e fundit, por ka mbetur aktiv në mediat sociale.
Muajin e kaluar, ai tha se shpresonte të shihte skuadrën kombëtare të Brazilit të kapte titullin e gjashtë rekord në Katar.
Top Channel