Forumi “eTransport”, Veliaj: Digjitalizimi i shërbimit dhe hapja e dy megaterminaleve do të shënjojnë një epokë të re për transportin në Tiranë

02/12/2022 12:36

Tirana e së ardhmes do të ketë një transport publik model, i cili do të disiplinojë si trafikun, ashtu edhe këtë shërbim të rëndësishëm për qytetarët, që lëvizin brenda kryeqytetit dhe nëpërmjet linjave interurbane dhe hekurudhore.

Dy kanë qenë risitë që kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka nënvizuar si investime drejt asaj që ai e quajti Kryeqytet Europian i Transportit: Digjitalizimi i shërbimit aktual, si dhe hapja e dy megaterminaleve për autobusët, që bashkë me linjën hekurudhore do t’i japin frymë lëvizshmërisë në Tiranë.

I pranishëm në forumin “eTransport”, Veliaj tha se paralelisht me modernizimin e këtyre shërbimeve, bashkia ka ecur edhe me subvencionimin, si të qytetarëve, ashtu edhe të operatorëve të transportit urban në kryeqytet që, tashmë me futjen e sistemit GPS, bëhet edhe më e lehtë.

“Ne kemi kemi thyer një tabu me subvencionimin e transportit publik, por ama konteksti i luftës në Ukrainë e kërkoi këtë ndërhyrje. Në një botë globale, ku të gjithë jemi të lidhur, sigurisht e ndjen impaktin e çmimit të naftës dhe të karburanteve. Një mënyrë ishte ajo që bëmë në Bashkinë e Tiranës si zgjedhje e përkohshme, ku çdo autobusi t’i vihet një GPS dhe përmes kësaj bëjmë subvencionim për kilometrat e bëra, saktësinë dhe disiplinën e mbërritjes në stacion,” u shpreh Veliaj.

Pika tjetër, më e rëndësishme, shtoi kryebashkiaku, është terminali lindor i autobusëve, i cili është drejt përfundimit, si dhe terminali i linjave të tjera, për të cilin më në fund, tha Veliaj, pas 27 gjyqesh, bashkia fitoi të drejtën edhe të ngritjes së këtij kantieri të ri.

“Duke filluar nga viti tjetër, për të gjithë transportin interurban të juglindjes do të përdoret Terminali Lindor. Ndërkohë, sapo kemi fituar gjyqin e 27-të, – për të gjithë ata që ulërasin se si do të zgjidhet trafiku në Tiranë, kur e kishin në dorë ia lanë ta copëtonin njerëz që nuk kishin lidhje me tokën dhe projektet e bashkisë përfunduan në hipotekat e lloj-lloj spekulanti, – dhe më në fund do të hapet kantieri te kthesa e Kamzës, kantieri historik për terminalin e perëndimit, të jugut dhe të veriut. Besoj se ai megaterminal aty, bashkë me shërbimet, duke qenë se është dhe pranë një nyjeje të komunikimit, do na zgjidhë njëherë e mirë çështjet e transportit interurban që futet brenda në Tiranë,” nënvizoi Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës tha se ndërkohë, ka filluar traseja e stacionit të trenit. Bëhet fjalë për një lidhje të terminalit perëndimor me Stacionin e Trenit, ku linja hekurudhore do të vazhdojë elektrike, apo siç quhet ndryshe “light rail”, pra hekurudha e lehtë, deri ku ka qenë ish-Stacioni i Trenit, tek fillimi i Bulevardit të Ri. “Duke pasur një platformë që na integron të gjitha sistemet, si ato që janë me binarë, hekurudhën, ashtu dhe ato mbi rrota, që janë autobusët dhe mjetet e tjera të transportit publik, unë besoj se kemi sot një sistem të integruar dhe mund të themi që, për sa i përket transportit, kemi edhe një Kryeqytet Europian të Transportit me një filozofi të tillë dhe me një hapësirë digjitale që na bashkon,” e mbylli Veliaj fjalën e tij.

Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja vlerësoi mbështetjen e Bashkisë së Tiranës. “Asnjë projekt në nivel kombëtar s’do të kishte vlerë pa Bashkinë e Tiranës. Bashkia e Tiranës është qendra e Shqipërisë. Kemi 9.5 milion udhëtarë që nisen nga kjo bashki”, tha Gonxhja. Ndërsa ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro u shpreh se sivjet Tirana ka pasur një bum turistësh, ku grupmosha kryesore ka qenë 20-25 vjeç. “Ne kemi pasur 6.5 milionë të huaj në vend. Tirana sivjet ka qenë bum i turizmit dhe me të rinj. Grupmosha nga përgjithësisht që ishin 50 e sipër, turistët e Tiranës sivjet kanë qenë të rinj midis 20 dhe 35 vjeç. Të gjitha këto tregojnë për publik të shtuar, mobilitet, dëshirën për lëvizje”, tha Kumbaro.

FOTO GALERI
4/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA