Demokracia nëpër botë po dobësohet e njerëzit gjithmonë e më shumë po e humbasin besimin në legjitimitetin e zgjedhjeve, ndërsa shohin gjithashtu pengesa sa i takon lirisë së shprehjes.
Raporti i fundit i Institutit Ndërkombëtar për Demokraci dhe Mbështetje Zgjedhore, apo IDEA Ndërkombëtare, i krijuar pikërisht për nxitjen e demokracisë nënvizon zhgënjimin e përhapur tek të rinjtë mbi partitë politike dhe udhëheqësit e tyre si dhe rritjen e ekstremizmit të krahut të djathtë që ka polarizuar politikën.
Organizata me 34 vende anëtare me bazë në Stokholm vëren me shqetësim në raportin e saj vjetor se numri i vendeve që lëvizin drejt autoritarizmit është më shumë se dyfishi i atyre që lëvizin drejt demokracisë dhe se regjimet autoritare në mbarë botën kanë thelluar shtypjen e tyre duke shënuar kulmin në vitin 2021. Raporti 64-faqesh që mat demokracinë në 173 vende, arrin në përfundimin se përparimi në vendet demokratike ka ngecur në pesë vitet e fundit.“Në Europë, demokracia në 17 vende është gërryer gjatë pesë viteve të fundit”, tha organizata.
Një manifestim i tensioneve sipas saj, dhe shkëputjes në rritje nga procesi demokratik është shfaqja e pakënaqësisë me demokracisë si dhe ulja e numrit të votuesve që marrin pjesë në zgjedhje. Në grafikun ilustrues të raportit që i referohet tendencës së pjesëmarrjes në zgjedhjet parlamentare ne pjese te ndryshme te Europës, Shqipëria është shënuar me një vijë të kuqe që nënkupton përkeqësim të trendit, ndërsa vija e gjelbert, si në rastin e Malit të Zi, tregon përmirësim.
Regjimet demokratike nuk e kanë dëshmuar bindshëm se se mund të ofrojnë atë që njerëzit kanë nevojë. Sfidat aktuale, si afrimi i nje recesioni, kostoja e jetesës dhe pasojat gjithmonë e më të rënda të ndryshimeve klimatike po e nxjerrin në pah këtë dobësi. Besimi i njerëzve tek rendësia dhe efektshmëria e institucioneve demokratike po zvogëlohet në një masë shqetësuese, vazhdon raporti, që nënvizon domosdoshmërinë për ringjalljen e demokracisë përmes mekanizmave të duhur, duke përfshirë aty ristrukturimin e ‘kontratës sociale’ mes shtetasve dhe qeverisë në një mënyrë që t’u përgjigjet nevojave dhe kërkesave të popullsisë.
Top Channel