“Samiti i 6 dhjetorit është në interes madhor për shqiptarët dhe i jep goditje fatale projektit të Ballkanit të Hapur”- u shpreh Sali Berisha sot për Samitin e BE-së që do të mbahet në Shqipëri javën e ardhshme.
Në takimin me banorë të njësisë 5 në Tiranë, Berisha tha se në datën kur do mbahet samiti, do të organizohet protesta “e paparë për Tiranë për t’ju thënë liderëve të Europës, se Rama nuk përfaqëson popullin shqiptar dhe është një armik i të gjitha vlerave themelore”.
“Në datën 6 dhjetor, mblidhen këtu në Tiranë të gjithë liderët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në një samit të përbashkët. Dhe ky është një nder i papërsëritshëm për Shqipërinë dhe një përzgjedhje gjeo-strategjike e një rëndësie historike me të cilin Europa Perëndimore i thotë Vladimir Putinit dhe të tjerëve, se Shqipëria është territori ynë dhe harroni se mund të keni ambicie të tjera.
Në këtë mënyrë, ky samit në rrafshin strategjik është në interes madhor për shqiptarët dhe i jep një goditje fatale, për të mos thënë përfundimtare projektit të Aleksandër Vuçiç, Edi Ramës dhe vasalit të tij tjetër në Shkup, projekt i Ballkanit të Hapur, i mbështetur haptas nga Lavrov, por duhet të jemi të hapur e të themi të vërtetën, jo më pak nga Xhorxh Soros dhe pasaardhësi i tij, Aleksis që merr pjesë në çdo samit të kësaj nisme, ruso-serbe. Edhe në këtë kontekst, samiti është shumë i mirëpritur. Po të marrim se pse ne do të jemi në datën 6 në protestë, unë ftoj liderët e BE-së që ta marrin këtë prani, si një përshëndetje dhe nderim ndaj tyre vlerave të tyre. Por kjo është vetëm një anë e medaljes.
…ne jemi në rrugë e në shesh për të protestuar kundër armikut të vlerave evropiane në Shqipëri, Edi Ramës dhe regjimit të tij. Këtu nuk fshehim asgjë, përkundrazi, ne dalim në datën 6 për të ju thënë liderëve të Europës, se ky nuk përfaqëson jo popullin opozitar, por as popullin shqiptar dhe ky është një armik i të gjitha vlerave themelore mbi të cilat është ndërtuar shoqëria.
Është armik i votës së lirë të shqiptarëve, është një armik të drejtave të tyre, i identitetit, kulturës dhe pasurive të tyre publike, fondeve buxhetore dhe të ardhmes së tyre.
Dhe me 6 dhjetor, ai që i thotë vetes shqiptar, ai që e ndjen veten shqiptar nuk mund të jetë tjetër, veç në protestë, në protestë të fuqishme kundër Edi Ramës dhe klikës së tij në pushtet. Në këtë kontekst, çdo demokrat e demokrate, e ka për detyrë më shumë se asnjëherë tjetër, të marrë çdo masë, të bëjë çdo përpjekje që të gjendet në orën 12:00 në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në një protestë të paparë ndonjëherë në historinë e Tiranës.”- tha Berisha.
Top Channel