Humbja ndaj Marokut ka lënë një shije të hidhur në kombëtaren e Belgjikës që tashmë ka nevojë për një trepikësh në ndeshjen e fundit të Grupit F ndaj Kroacisë për të kaluar në fazën me eliminim direkt të Botërorit.
Ambienti në dhomat e zhveshjes duket i rënduar tek “Red Devils”, teksa pas sfidës së fituar me Kanadanë, Kevin De Bruyne theksoi se kombëtarja belge ishte e vjetër në moshë për të synuar triumfin në Kupën e Botës.
Një deklaratë që pas disfatës me Marokun mori edhe më shumë bujë ndërsa mes lojtarëve në organikë kanë lindur hatërmbetje. Së fundmi, Thibaut Courtois i përgjigjet shokut të skuadrës duke theksuar se është e lehtë të gjehen justifikime në momentin që nuk arrihen rezultatet.
“Mendoj se kjo kombëtare nuk ka asnjë problem që lidhet me moshën. Te Real Madrid unë luaj me Modric dhe Benzema, por kemi sukses. Është shumë e lehtë të gjesh justifikime në momentin që rezultatet nuk vijnë”.
Ndër të tjera, Courtois u ndal edhe te zërat se në dhomat e zhveshjes kishte pasur një debat të ashpër mes De Bruyne, Vertonghen dhe Hazard. Portieri theksoi se diskutimet pas një humbje janë normale, por shtoi se nuk bëhej fjalë për diçka serioze.
Top Channel