Mediat britanike japin alarmin se qendra e pritjes së emigrantëve në Kent, e mbingarkuar në mënyrë katastrofike, siç e përshkruan prestigjiozja britanike The Guardian situatën atje, është e mbushur me njerëz që presin në kushte ç’njerëzore shqyrtimin e kërkesave te tyre për azil.

Së fundi, duket se po përballet edhe me problemin e madh të sëmundjeve infektive. Ekspertët shëndetësorë vendas paralajmërojnë mbi shpërthimin e difterisë në këtë qendër, ku ka edhe shumë shqiptarë të cilët kanë mbërritur me gomone në Angli.

Sipas The Guardian në fakt, në tetor të këtij viti, në qendrën e emigranteve ne Kent, 80% e azilkërkuesve ishin nga Shqipëria. Dr Simon Clarke, profesor i biologjisë në Universitetin e Reading, tha për The Sun se gjasat janë që infeksioni, i cili prek lëkurën, hundën dhe fytin, të përhapet edhe në popullatën vendase.

“Ndoshta do të ketë imunitet të mjaftueshëm në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar për të parandaluar transmetimin në shkallë të gjerë, por nuk do të befasohesha  nëse do të kishim shpërthime më të vogla, të lokalizuara. Është e rëndësishme të theksohet se ndërsa difteria përben potencialisht një kërcënim serioz për shëndetin publik, ajo mbetet e trajtueshme me antibiotikë nëse diagnostikohet herët”, shprehet ai.

Deri më tani, 50 emigrantë – përfshirë disa fëmijë – të cilët kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar këtë vit janë diagnostikuar me difteri, sipas ministrit të emigracionit, Robert Jenrick.Dy persona janë shtruar në spital dhe një tjetër ka vdekur, pohoi të dielën  Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar (UKSHA).Azilkërkuesit me simptoma të difterisë do të vendosen në izolim, shtoi Jenrick, sipas të cilit emigrantët që shfaqin shenja të sëmundje do të veçohen nga të tjerët në qendrën Manston në Kent.

Top Channel