Aktori i njohur Will Smith së fundmi ‘hapi zemrën’ në intervistën e tij të parë që nga shuplaka famëkeqe në ‘Oscars’ në fillim të këtij viti.
“Unë e humba. Ky ishte një zemërim që ishte akumuluar për një kohë vërtet të gjatë. Ajo ishte një natë e tmerrshme siç mund ta imagjinoni. Ka shumë nuanca dhe kompleksitete në të, por në fund të ditës, unë thjesht e humba kontrollin dhe ajo që dua të them është se ju kurrë nuk mund ta dini se çfarë është duke përjetuar një njeri në të vërtetë. Ishin shumë gjëra. Ishte djali i vogël që pa babain e tij duke rrahur nënën e tij (referuar dhunës që babai i tij ka ushtruar ndaj nënës së aktorit). E gjithë kjo u shfaq në kokën time në atë moment. Ky nuk është ai që dua të jem,” tha Smith në “The Daily Show with Trevor Noah” të Comedy Central.
Smith hyri në skenë në ceremoninë e çmimeve të Hollivudit, pasi Rock bëri një shaka për kokën e rruar të gruas së tij, dhe e goditi atë me shuplakë.
Will gjithashtu tregoi se si ai ka qëndruar kryesisht jashtë vëmendjes që nga shuplaka e famshme, duke thënë me shaka: “Unë kam qenë larg, ju çfarë keni bërë?”
Smith, i cili iu bashkua emisionit për të promovuar filmin e tij të ri “Emancipation”, u përlot disa herë duke përfshirë momentin kur ai ndau një histori të përzemërt se si përfundoi nata e tij pas ceremonisë së çmimeve ‘Oscars’. Smith tha se pa nipin e tij 9-vjeçar pasi u kthye në shtëpi.
“Ne erdhëm në shtëpi dhe ai kishte qëndruar deri vonë për të parë xhaxhain e tij. U ulëm në kuzhinën time dhe ai ishte në prehrin tim dhe pyeti: ‘Pse e godite atë njeri, xhaxhi Will?’”, tha Smith.
Top Channel