Veliaj në konferencën për shtyp me Dua Lipën: Koncerti i Pavarësisë një “grand finale” për Tiranën, Kryeqytetin Europian të Rinisë

28/11/2022 17:13

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e ka quajtur një ‘grand finale’ koncertin e Dua Lipas, mbrëmjen e sotme në sheshin “Skënderbej”, i cili mbyll edhe turin e këngëtares më të famshme shqiptare në arenën ndërkombëtare, por që përkon edhe me 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, si dhe me mbylljen e vitit ku Tirana ishte Kryeqyteti Europian i Shqipërisë.

“Nuk mendoj se kishim një moment më të bukur dhe më të mirë, për ta mbyllur këtë vit kur Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë, kur kemi përvjetorin e Pavarësisë, me shtetasen më të re shqiptare, Dua Lipën. Dua ka pasur një tur të jashtëzakonshëm,“Future Nostalgia”, i cili mbyllet në Tiranë. Ky qytet ka kaluar kaq shumë aktivitete dhe energji pozitive, por kjo është grand finale edhe për ne. Ajo sapo është kthyer nga një tur në Zelandë, Australi, Kaliforni, 27 orë për të mbërritur në Tiranë, po kemi gjithë energjinë pozitive për të pasur një superfestë sot për Pavarësinë. Dua t’ju uroj një mirëseardhje të gjithëve atyre që kanë adhur nga Kosova, Lugina e Preshëvës, Mali i Zi. Do të kalojmë shumë shumë bukur sot”,  u shpreh Veliaj në konferencën e përbashkët për mediat me këngëtaren Dua Lipa.

Kreu i Bashkisë tha gjithashtu se projektet e përbashkëta si “Sunny Hill” do të jenë një brand i përsëritshëm në Tiranë.

“Po mendojmë çfarë mund të sjellim disa risi të reja, si ta fusim kulturën e muzikës cilësore dhe brandimit të Tiranës si qytet i artit dhe kulturës. Ne kemi qenë kryeqyteti europian i rinisë, vitin tjetër do jemi Qyteti Evropian i Sportit. Disa aktivitete që i testuam këtë vit duam t’i kthejmë në një brand të përsëritshëm të Tiranës dhe të krijojmë imazhin e një qyteti ku ka art dhe kulturë. Po të shikoje sot mediat britanike, unë i lexova sot dhe Daily Mail, The Guardian të gjithë flisnin shumë pozitivisht për Duan dhe shtetësinë shqiptare. Si e tha dhe Dua, nuk mjafton vetëm një gjest. Duhet të jetë në mënyrë të përsërituri lajmi i mirë që vjen nga një vend. Për këtë po punojmë për sezonin e dytë të Sunny Hill Albania”,  pohoi Veliaj.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA