Moderatorja e Top Story, Grida Duma mbajti një fjalim emocionues në hapjen e emisionit për 110 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Ajo tregoi një prej momenteve gjatë shëtitjes në Gjirokastër, ndërsa pa flamurin kuq e zi të valëvitej dhe e ndjeu ta nderonte.
Editoriali i plotë nga Grida Duma
28 nëntor , 110 vite më parë në 1912 u ngrit flamuri shqiptar, 110 vite më vonë, çfarë domethënie ka flamuri shqiptar, në një botë shqiptare që thërret të hyjë në Europë, si ndjehet një 20 vjeçar me flamurin e vet, si ndjehet sot një shqiptar rreth të 50-ave që emigroi nga vendi i vet dhe e sheh atdheun nga larg, çfarë ka sot me flamurin kuq e zi një shqiptar i Kosovës që e ëndërroi ta kishte e sot ende bën kompromise me identitetin e vet ndoshta për të fituar zhvillimin e vet…
Si ndjehen me flamurin shqiptar ata mijëra që ndërruan emrin në këmbim të një pasaporte greke, apo sot edhe bullgare.
Pa u mbyllur vera gushtin që lamë pas … udhëtoja drejt jugut, diku afër Gjirokastrës në një peisazh vetëm natyrë pa shtëpia përreth u shfaq një flamur i ngritur mbi një shtizë të gjatë … ndër të paktat herë që shihja që flamur me të kuqen e plotë e me madhështinë e përmasës dhe vendosjen triumfuese në lartësi.
Instinktivisht nderova me dorë flamurin…
Instinktivisht e kam nderuar me dorë flamurin kur e kam parë në kryeqytetet e botës atje ku ambasadat tona e vendosin në ballkonet e tyre në qendra.
Instinktivisht jam revoltuar kur kam parë flamuj edhe ne ambasadat tona që nuk tregonin kujdes me prestigjin e flamurit, kur e shihja të kuqen e tij të irrnosur nga koha dhe që valëvitej si e lodhur…
Kur je jashtë Shqipërisë dhe sheh flamurin shqiptar që valëvitet kudo, në Amerikë mbi shtëpitë e shqiptarëve e sidomos në përfaqësitë e ambasadave duket se aty nuk je vetëm … në mes të botës së madhe s’je vetëm … një pjesë e jotja është aty dhe valëvitet pa harresë e përherë.
Ndokush mund të habitet për këtë nderim të thellë ndaj flamurit në kohë globale…
Por nuk është çështje atdhetarie as patriotizmi as modernizmi dhe apo tradicionalizmi…
Flamuri shqiptar, është identiteti i vetes,
Mund të lexojmë pa fund mund të hulumtojmë kudo … identiteti nga vijmë, kultura që rritemi, historia që na përcjell janë vetja jonë!!!
Nuk zgjodhëm të lindim a të jemi shqiptarë, ky është fati ynë historik…
Nuk zgjodhëm të lindim a rrjedhim nga ky vend që quhet Shqipëri dhe që i ka mbijetuar me gjithë përpjekjet e veta, të ketë një gjuhë unike indoeuropiane, ti bëjë qëndresë pushtimeve e fqinjësie të egra e t’ia dalë të mbijetojë me një identitet kaq të spikatur midis mesdhetarit, ballkanasit, europianit e orientalit… Mbijetoi dhe duhet të mrekullohemi me këtë.
Flamuri shqiptar është simbolika më e lartë e atdheut të vetes, është streha e identitetit që thërret me të kuqe e të zezë që të emocionon!!
Top Channel