Në auditimin e dy rrugëve kombëtare, Bypassit Fier – Vlorë dhe Qukës Qafë Plloçë, KLSH ka gjetur një sërë shkeljesh dhe dëmesh financiare të shkaktuara nga dy projektet, nën administrimin e ARRSH.

Kështu në zbatimin e punimeve, KLSH ka gjetur 5.35 milionë euro dëm financiar që këto kontrata i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit.

Në inspektimin e rrugës së Qafë Pllocës, KLSH ka zbuluar se për shkak të shtyrjes së afateve në kontratë që ishte marsi i 2020-ës, janë bërë shpenzime shtesë për sigurime, kosto e operimit të automjeteve në disponim të mbikëqyrësit të punimeve, kosto laboratori dhe pagesa për drejtues mjeti.

Më tej KLSH evidenton se janë bërë pagesa për automjete që nuk kanë qenë në disponim, apo edhe pagesa për punime të pakryera, të cilat në total në këtë rrugë ende të papërfunduar deri më tani kanë sjellë një dëm prej 650 mijë eurosh.

Ndërkohë në Bypassin Fier – Vlorë 51 km rrugë, abuzimet kapin shifrën e 4.7 milionë eurove. Qeveria shqiptare për këtë projekt ka marrë 120 milion euro kredi nga BERZH dhe afati i përfundimit të punimeve ishte viti 2018.

Por, punimet kanë tejkaluar afatin dhe rruga përfundoi në 2021-in. Tre vite zgjatje e kontratës ka sjellë shpenzime shtesë për buxhetin. Fillimisht Ministria e Infrastrukturës dhe Financave kanë shkelur afatet e shtyrjes së kredisë. Ndërkohë zgjatja e kontratës ka sjellë kosto shtesë për konsulencë dhe mbikëqyrje të paguara nga buxheti i shtetit për ARRSH.  Pra përveç interesave të kredisë shteti do të paguajë edhe kosto shtesë për shkak se ka vonuar projektin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA