Tre vite nga tërmeti, tragjedia që shkaktoi 51 viktima dhe qindra të plagosur! Ende shumë familje në pritje nga rindërtimi

26/11/2022 19:33

Tre vite pas fatkeqësisë natyrore që u shndërrua në një tragjedi me viktima të shumta për Durrësin dhe vendin, pikërisht aty ku ngriheshin objektet që u shembën nuk ka asnjë shenjë për të nderuar kujtimin e atyre që humbën jetën në atë fatkeqësi. 

Sot është një ditë dhimbjeje për Ajet Meçen, i mbijetuari që humbi gruan, vajzën e mbesën më 26 nëntorin e tre viteve të shkuara.

Familjarë kanë vendosur lule aty ku dikur ngriheshin banesat që morën jetë njerëzish. Hapësirat boshe në to janë një kujtesë e trishtë, po dhe një ftesë për të mos harruar pasojat dhe shkaqet jo thjesht natyrore të tragjedisë.

Dëmet që la pas tërmeti janë ende të dukshme dhe Durrësi vijon të vuajë pasojat e tij. Afro 8 mijë objekte të dëmtuara, mijëra familje mbetën pa strehë dhe nxënës pa shkolla. Instituti i Ndërtimit rekomandoi shembjen e mbi 1 000 objekteve, mes të cilave pallate, shkolla, shtëpi dhe godina shërbimi. Disa janë shembur të tjerat qëndrojnë në pritje. Në Durrës rindërtimi vazhdon me problematikat e tij.

Pallatet me dëme të nivelit DS1-DS3 pothuajse janë riparuar, por ato të dëmtuara rëndë janë në pritje. Afro 2900 familje trajtohen ende me bonus qiraje nga bashkia e Durrësit. Ende ka familje të dëmtuara nga tërmeti që jetojnë në kontenierë. Problematikat e rindërtimit përplasen shpesh në dyert e bashkisë me protesta qytetarësh që kërkojnë transparencë dhe strehim, ndërsa në Spitallë vijon ndërtimi i lagjes së re me 85 pallate të reja që pritet të përfundojnë  pranverën e ardhshme.

Tre vjet pas tërmetit gjimnazet kryesore të qytetit nuk kanë nisur ende të rindërtohen dhe mijëra nxënës e zhvillojnë mësimin me turne.

Me plagë ende të hapura nga tërmeti Durrësi pret rimëkëmbjen e plotë, ndërsa familjarët e viktimave kërkojnë drejtësi.

Top Channel