Bordi mban çmimin e naftës të lartë! Reagon me vonesë dhe nuk reflekton uljen reale në bursë

25/11/2022 15:10

Bordi i Transparencës supozohet të mblidhet për të vendosur çmimet e reja të naftës sa herë që ato rriten apo ulen në bursa.

Top Channel ka bërë kërkesë përpara një jave për të marrë pjesë në një mbledhje bordi, por edhe pse që prej asaj kohe Bordi është mbledhur tre herë ne ende nuk kemi një përgjigje. Përveç mungesës së Transparencës, ajo që bie në sy është edhe mosreflektimi i uljes së çmimit të naftës pas rënies në bursa.

Një ton naftë në tregjet ndërkombëtare po tregtohet në nivelin e 934 dollarëve, niveli më i ulët që nga marsi, ndërsa Bordi e reflektoi një ditë me vonë një ulje me 3 lekë dhe më vonë se (GRAFIK)Maqedonia e Veriut, e cila vendosi ta ulë me 4 lekë në 24 Nëntor, duke e dërguar çmimin final në 166 lekë. Kjo ulje është më e vogël edhe pse denari është forcuar në krahasim me dollarin, ndërsa leku është dobësuar.

Gjithashtu në vendimin paraardhës të Bordit Shqiptar në 22 Nëntor për uljen e çmimit të naftës me 4 lekë, u vu re se ajo ishte sërish më e ulët se në Maqedoni, e cila që në datën 21 Nëntor e uli naftën me 6 lekë.

Përveç reflektimit me vonesë, ajo që po ngre dyshime është edhe fakti se si Bordi luan me kursin valutor të dollarit. Kështu ndërsa dollari kishte pësuar një rënie të ndjeshme gjatë gjithë javës duke qëndruar në nivelin e 112.20 – 112.97 lekëve, në ditën që Bordi shpall vendimin, kursi i dollarit forcohet automatikisht në 114.41, me 1.7 pikë më shumë, aq sa ishte dhe diferenca e çmimit me Maqedoninë. Nëse Bordi do ishte mbledhur më herët edhe dy lekëshi do të ishte kursyer në pompat e naftës nga qytetarët.

Top Channel