Kamionë të policisë kanë zbarkuar në zonën e Frakullës së Madhe në Fier. 

Forca të shumta policore po ushtrojnë një operacion në anën e pasme të një banese në këtë zonë, e cila mendohet se përdorej për mbajtje lëne narkotike.

Operacioni që më parë u deklarua se po bëhej në zonën e Fratërit, është duke ndodhur në Frakullën e Madhe ku kamionët po ngarkohen aktualisht.

Top Channel ka siguruar video nga momenti i transportimit, ku shihet një automjet “Pirun” që e zhvendos atë në kamion të policisë, ku më pas do të procedohet nga autoritetet.

15 persona janë arrestuar deri tani, sipas Anila Hoxhës, ndërsa dhjetëra forca policore ndodhen aktualisht në vendngjarje. Arrestime ka edhe në Mal të Zi, persona të përfshirë në trafikun e kokainës.

Sipas informacioneve, ngarkesa e drogës ka ardhur nga Kolumbia, ka mbërritur në Portin e Tivarit dhe në fund në Fratar të Fierit.

Ngarkesa ishte sjellë prej kohësh, thanë burimet e Anila Hoxhës, ndërsa SPAK vëzhgoi e përgjoi për të identifikuar rolin e secilit që është i përfshirë.

Në operacionin e vëzhgimit sekret gjatë këtyre tre muajve, sipas burimeve të Anila Hoxhës, kanë qenë të angazhuar 60 oficerë të Policisë së Shtetit.

Është goditur i gjithë grupi kriminal si porositës, pritës dhe baza e ngritjes së laboratorit.

SPAK ka regjistruar procedimin dhe ka marrë autorizimet për t’i kthyer në prova ligjore, pas angazhimit edhe të OPGJ-së dhe të Forcave  Operacionet Speciale të Policisë së Shtetit.

 

Top Channel