1 nga 5 lekë që duhet të hynin në buxhetin e shtetit janë shpërdoruar sipas KLSH. Në raportin për zbatimin e buxhetit janar-shator 2022, auditimet kanë vërejtur se 74 miliardë lekë apo 633 milionë euro është shuma e shkeljes së disiplinës financiare për fondet publike.

Ndërkohë, KLSH evidenton se 47 miliardë lekë apo 402 milionë euro janë të ardhura të munguara në buxhet, 97% e tyre për shkak të Drejtorisë së Tatim-Taksave, ku bie poshtë teza se mirë-administrimi fiskal është përmirësuar nga qeveria.

Ndërkohë, te shpërdorimi i fondeve publike KLSH evidenton se vjen nga dy burime kryesore si shit/blerja dhe dhënia me qira e pasurive shtetërore si dhe prokurimet. Te shitblerja e pasurisë shtetërore, KLSH evidenton se 108 milionë euro janë shpërdoruar dhe mungojnë në buxhet për shkak të moszbatimit të rregullave nga kompania Albpetrol. Kompania e dytë që ka shkaktuar dëmin më të madh është KESH në vlerën e 80 milionë eurove. Sa i përket prokurorimeve, janë gati 70 milionë euro të humbura në vetëm 9 muaj me procedurat e parregullta.

Te shkeljet në prokurime, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare kryeson e ndjekur nga Bashkia Fier dhe Bashkia Poliçan. Këto tre institucione publike kanë kualifikuar në tendera operatorë ekonomikë, të cilët nuk kanë plotësuar dokumentet standarde.

Sa i përket shkeljeve në zbatimin e kontratave kryesojnë institucionet si Ministria e Infrastrukturës, KESH dhe Ujësjellësi i Elbasanit. Dëmi ekonomik vetëm për zbatimin e punimeve është rreth 4 milionë euro, ndërsa 1/3 e këtij dëmi është shkaktuar nga Ministria e Infrastrukturës. Vërejtje të shumta KLSH ngre edhe për dy projekte infrastrukturore si rruga Qukës-Qafë Plloçë si dhe ndërtimi i Bypass-it të Fierit dhe Vlorës.

KLSH shprehet se gjatë periudhës 9-mujore ka bërë vetëm 1 kallëzim penal për rastin e ish-Kadastrës së Sarandës.

Top Channel