Drejtori i Përgjithshëm i policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ka zhvilluar ditën e sotme një analizë pune me strukturat e policisë Berat.

Drejtori i Përgjithshëm ka firmosur përjashtimin nga Policia e Shtetit, për shkelje të rëndë, të 7 punonjësve të Policisë, të nivelit të parë dhe të nivelit të mesëm drejtues, konkretisht:

1. Kryekomisar Baki Musaku, me detyrë Shef Sektori për Krimet, në DVP Berat;
2. Kryekomisar Sokol Lazaj, me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Berat;
3. Komisar Ardit Hasanbegaj, me detyrë Shef i Seksionit për Krimet, në Komisariatin e Policisë Berat;
4. Nënkomisar Artan Musaj, me detyrë Shef i Stacionit të Policisë Dimal;
5. Nënkomisar Miço Rakazija, me detyrë Specialist për Krimet, në Stacionin e Policisë Dimal;
6. Inspektor Vladimir Toska, me detyrë Ndihmësspecialist për Policimin në Komunitet, në Stacionin e Policisë Dimal;
7. Inspektor Gazmend Sulaj, me detyrë Ndihmësspecialist për Policimin në Komunitet, në Stacionin e Policisë Dimal.

Rrumbullaku gjithashtu ka vendosur shkarkimin nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, Drejtues i Parë Edmond Tarkaj, uljen në gradë për 6 muaj dhe transferimin e tij në Akademinë e Sigurisë dhe emërimin e Drejtuesit të Parë Kastriot Skënderaj, në detyrën e drejtorit të ri të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat.

Përjashtimi nga policia e shtetit të këtyre efektivëve, erdhi si pasojë e mosevidentimit të kanabisit të kultivuar në serë,  nga strukturat vendore të Policisë së Beratit, pasi një gjë e tillë është tërësisht e patolerueshme dhe e ndëshkueshme.

Policia e Shtetit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, mesditën e sotme, zhvilloi një analizë pune me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat.

Gjatë analizës, Drejtori i Përgjithshëm ka theksuar se pavarësisht se informacioni përmes të cilit u godit veprimtaria e organizuar e kultivimit të kanabisit në sera, në territorin e fshatit Rërëz, ishte tërësisht i strukturave të posaçme për hetimin e krimit të organizuar, në Policinë e Shtetit, mosevidentimi i kësaj paligjshmërie të hapur, nga vetë strukturat vendore të Policisë së Beratit, është tërësisht i patolerueshëm dhe i ndëshkueshëm.

Në zbatim të urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm, Drejtoria e Standardeve Profesionale e Policisë së Shtetit ka zhvilluar dhe përfunduar një hetim të thelluar, në përfundim të të cilit, bazuar në shkeljet e rënda administrative që kanë të bëjnë me përmbushjen e detyrës, ka vendosur shkarkimin nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, Drejtues i Parë Edmond Tarkaj, uljen në gradë për 6 muaj dhe transferimin e tij në Akademinë e Sigurisë.

Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm ka vendosur për emërimin e Drejtuesit të Parë Kastriot Skënderaj, në detyrën e drejtorit të ri të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat.

Në vijim, bazuar në shkeljet administrative dhe në mospërmbushjen e detyrave funksionale, Drejtori i Përgjithshëm ka firmosur përjashtimin nga Policia e Shtetit, për shkelje të rëndë, të 7 punonjësve të Policisë, të nivelit të parë dhe të nivelit të mesëm drejtues, konkretisht:

1. Kryekomisar B. M., me detyrë Shef Sektori për Krimet, në DVP Berat;
2. Kryekomisar S. L., me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Berat;
3. Komisar A. H., me detyrë Shef i Seksionit për Krimet, në Komisariatin e Policisë Berat;
4. Nënkomisar A. M., me detyrë Shef i Stacionit të Policisë Dimal;
5. Nënkomisar M. R., me detyrë Specialist për Krimet, në Stacionin e Policisë Dimal;
6. Inspektor V. T., me detyrë Ndihmësspecialist për Policimin në Komunitet, në Stacionin e Policisë Dimal;
7. Inspektor G. S., me detyrë Ndihmësspecialist për Policimin në Komunitet, në Stacionin e Policisë Dimal.

-Është vendosur ulja në gradë, për një periudhë 6-mujore, për zëvendësdrejtorin për Hetimin e Krimeve, në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat, Drejtues Sh. Xh.

-Është vendosur dhënia e masave disiplinore “Vërejtje me paralajmërim”, për 8 punonjës policie.

-Është vendosur shtyrja e afatit të gradimit, me 2 vjet, për 2 punonjës të tjerë policie.

Në fund të analizës, Drejtori i Përgjithshëm ka kërkuar nga të gjitha strukturat e Policisë në qarkun Berat, angazhim, përkushtim, profesionalizëm, bashkëpunim me qytetarët, performancë, reagim në kohë dhe zgjidhje të problematikave në bazë të kompetencave që iu jep ligji.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit është i vendosur për të ndëshkuar cilindo nga radhët e Policisë që abuzon me detyrën dhe në këtë kuadër fton qytetarët që të denoncojnë çdo shkelje dhe abuzim që mund të kryhet nga punonjësit e Policisë, duke iu garantuar reagim të mënjëhershëm, profesional dhe ligjor.

Lëvizjet vijnë pasi në fshat prej gati një muaji ishte ngritur një punishte hashashi pa rënë në sy të askujt dhe policia është e pazonja të kthejë përgjigje se ku ishte kultivuar droga që përpunohej në sera dhe ku u transportua droga e përpunuar.

Deri më tani hetimi është në duart e prokurorisë së Beratit e cila po heton veprimtarinë e 11 personave të arrestuar si organizatorë të kësaj veprimtarie kriminale dhe po verifikon rolin edhe të 95 punonjëseve gra të cilat përpunonin hashashin.

Prokuroria po verifikon nëse kjo kompani e mirëfilltë hashashi ka marrë garanci nga struktura të veçanta në policinë vendore. Hetimi po asistohet edhe nga Agjencia e Mbikëqyrjes policore e cila e kontaktuar nga Top Channel, tha se vetëm po monitoron veprimet e Prokurorisë dhe nuk ka çelur asnjë hetim për asnjë punonjës policie.

Top Channel