Një veturë me targa të Serbisë është djegur të hënën pas mesnate në veri të Mitrovicës

Kështu tha për Radion Evropa e Lirë, drejtor i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti.

“Ngjarja ka ndodhur në orën 02:05 të mëngjesit”, tha ai.

Hoti shtoi se janë duke u zhvilluar hetime lidhur me rastin.

Më herët, në veri të Kosovës janë djegur edhe vetura me targa RKS, në pronësi të qytetarëve serbë që jetojnë atje.

Aktualisht, autoritetet e Kosovës janë duke zbatuar një plan tre fazësh përmes së cilit inkurajohen qytetarët në katër komunat veriore të vendit, që të riregjistrojnë veturat e tyre në targa RKS.

Faza e parë ka paraparë qortimin, e dyta parasheh gjobën dhe më vonë parashihet të vendosen disa targa provuese.

Zbatimi i fazës së dytë, që parasheh shqiptimin e gjobave prej 150 eurosh për qytetarët që qarkullojnë me targa të tilla, është shtyrë për 48 orë.

Para shtyrjes së vendimit, Policia e Kosovës pati planifikuar që vendimin për gjobat ta zbatonte nga mëngjesi i 22 nëntorit.

Kërkesën për shtyrje 48-orëshe e kanë bërë Shtetet e Bashkuara.

Serbia – e cila lëshon targa të paligjshme për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999, e kundërshton këtë plan – duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut të Kosovës – ku qarkullojnë kryesisht makinat me targa të paligjshme – kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Ata, po ashtu, kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë shqiptimin e gjobave nga autoritetet e Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA