Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar vërshime uji e kanë krijuar ngëerçe qarkullimi në disa komuna të Kosovës.

Përmbytje të mëdha janë shënuar në Junik; rritja e nivelit të lumit Erenik ka sjellë të vështirësi të mëdha për banorët e zonës.

Në fshatin Jasiq ka pasur rrëshqitje toke, si edhe dëmtim të rrugës kryesore. Uji ka mbushur bodrumet e disa shtëpive, e ndonëse autoritetet thonë se për momentin, situata është nën kontroll, sërish u kanë bërë thirrje qytetarëve për kujdes, pasi me vazhdimin e reshjeve, ekziston rreziku që lumi të dalë nga shtrati.

Shirat e rrëmbyer kanë shkaktuar vështirësi të mëdha edhe në komunën e Vushtrrisë. Banorët e bllokuar atje kanë kërkuar ndihmën e zyrtarëve të pushtetit lokal. Ata mendojnë se një pjesë e problemit të tyre lidhet me kanalizimet e ankohen se nuk kanë marrë ndihmën e nevojshme.

“Kemi telashe, kemi pas më herët, por tani rruga që po ndreqet e ka bllokuar pjesën tjetër dhe uji nuk ka nga të shkojë. Nëse nuk na lënë një gyp të lidhemi me kanalizim të rrugës, ne çdo herë do të kemi probleme… Nuk mund të dalim nga shtëpia, kemi bllokuar dhe fëmijët kanë mbetur brenda… I kemi lajmëruar të gjithë, askush nuk ka ofruar ndihmë. Kanë ardhur të tjerët të na ndihmojnë me traktorë privat prej mëngjesit. Nuk kanë ardhur të komunës, emergjenca ka qenë e ka shikuar gjendjen dhe ka thënë se ka telashe në gjithë Vushtrrinë dhe më askush nuk ka ardhur“, tha Remzi Gërguri, banor.

“Është hera e tretë që po ndodh dhe është shumë problem, është dashur të intervenohet më herët, por s’kanë bërë asgjë… Ne tani e kemi mbyll me një bager privat… Erdhi dhëndri që të na ndihmojë, ndryshe nuk kemi mundur të bëjmë asgjë, me lopata nuk hiqet uji…”, tha Zeqir Gërguri, banor.

 Përgjigja e kryetarit të komunës, Ferit Idrizi ishte se gjendja është e stabilizuar dhe i ftoi qytetarët të mos përhapin panik.

“Asnjë familje nuk ka pasur nevojë të evokohet, sepse asnjë shtëpi nuk është dëmtuar në atë masë për të pasur nevojë të intervenohet, ndërkaq në tokat bujqësore qe dy ditë ka rënë shi, dhe presim që pastaj t’i dërgojmë në komisione për të mbjellat, dëmet që janë shkaktuar dhe të dalim me një raport konkret…Po ashtu, bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Komunës së Vushtrrisë se për momentin nuk ka vend për panik”, tha Ferit Idrizi, kryetar i Komunës së Vushtrisë.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se reshjet e shiut pritet të vijojnë gjatë ditës së sotme me intensitet në disa pjesë të vendit sidomos në Gjakovë, Junik e Deçan.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA