Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se Kosova dhe Serbia nuk arritën ndonjë marrëveshje për çështjen e targave ndërsa tërhoqi vërejtjen për përgjegjësinë që u takon të dyja palëve për zhvillimet në terren.

“Të dy mbajnë përgjegjësi të plotë për dështimin e bisedimeve sot dhe për çdo përshkallëzim dhe dhunë që mund të ndodhë në terren. Ne paraqitwm një propozim që presidenti Aleksander Vuçiç e pranoi, ndërsa kryeministri Albin Kurti jo”, tha ai.

*Së shpejti më gjerësisht…

Pas mese pesë orë bisedimesh në Bruksel, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se nuk është arritur asnjë marrëveshje me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Të dy udhëheqësit u takuan në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian i cili ftoi takimin emergjent për të diskutuar për tensionet ndërmjet të dy vendeve rreth situatës në veriun e Kosovës.

“Për arsye të paqarta, nuk kemi arritur absolutisht asnjë marrëveshje”, tha presidenti serb, duke paralajmëruar siç tha, ditë të vështira.

“Do t’i dëgjojmë këshillat dhe kërkesat e përfaqësuesit të Lartë evropian, Josep Borrell. Ai ka kërkuar që ata të mos shqiptojnë gjoba dhe që ne mos të lëshojmë targa të reja KM (targa të lëshuara nga Serbia) për ç’gjë ne kemi thënë se është në rregull. Ne do ta respektojmë këtë. Do të shohim se çfarë do të bëjë pala tjetër”, tha presidenti serb.

Takimi ndodh në ditën kur ishte paraparë të fillojë faza e dytë e zbatimit të vendimit të qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia që duhet të përfundojë në prill të vitit të ardhshëm.

Nga e hëna sipas vendimit pritej të fillojë gjobitja e atyre që nuk i kanë konvertuar targat e makinave. Vendimi kundërshtohet nga Beogradi dhe serbët në veriun e Kosovës të cilët kanë paralajmëruar rezistencë ndaj zbatimit të tij.

Të dielën pasdite policia e Kosovës tha se edhe nesër do të vazhdojë me paralajmërimet ndërsa nga e marta 22 nëntor do të fillojë shqiptimi i gjobave.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë shfaqur shpresën për një zgjidhje praktike të çështjes së targave për të shmangur tensionet në veri ku nuk ka më pjesëtarë të policisë nga radhët e komunitetit serb e as punonjës të institucioneve tjera, pas vendimit të përfaqësuesve serbë të mbështetur nga Beogradi për të braktisur institucionet e Kosovës në veri.

Bashkimi Evropian e ka cilësuar situatën në veriun e Kosovës më të rrezikshmen që nga viti 2013.

Tensionet ne zonë që pasuan vendimin e qeverisë për targat i cili u mor me gjithë thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për një shtyrje dhjetë muajshe, u shtuan në një periudhë diskutimesh për një marrëveshje normalizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dritën e një propozimi evropian që u bë i njohur si nisma franko-gjermane.

Zyrtarët evropianë kanë thënë se të dyja palët nuk e kanë refuzuar propozimin i cili mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.

Autoritetet në Kosovë thonë se propozimi është një bazë e vlefshme për diskutime të mëtejshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërsa presidenti serb tha se Serbia as nuk e ka pranuar as nuk e ka kundërshtuar propozimin por është e gatshme për bisedime rreth tij./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA