Kryeministri Albin Kurti, pas takimit me homologen e tij, sot zhvilloi një drekë pune me ministrin e Punëve të Jashtme të Estonisë, Urmas Reinsalu.
Duke folur për marrëdhëniet e shkëlqyeshme bilaterale ndërmjet dy vendeve, gjatë bisedës u theksuan ngjashmëritë e përvojave historike dhe situatave gjeostrategjike të Kosovës dhe Estonisë.
Kurti, siç u bë e ditur në komunikatë, falënderoi ministrin Reinsalu për mbështetjen e Estonisë ndaj Kosovës në politikën e jashtme.
“Kosova mund të mësojë nga modeli estonez në avancimin e synimeve të saja për integrim Euro-Atlantik sikurse edhe në fuqizimin e institucioneve shtetërore nëpërmjet një reforme cilësore të administratës publike”, u shpreh Kurti.
Republika e Kosovës dhe Republika e Estonisë, siç u potencua në komunikatë, ndajnë qëndrime të njëjta sa i përket agresionit të pajustifikuar rus kundër Ukrainës dhe pajtohen për nevojën për mbështetje të shtuar ndaj Ukrainës.
U potencua gjithashtu nevoja për forcimin e aleancave ndërmjet shteteve demokratike dhe paqedashëse karshi atyre autokratike dhe agresive. Në këtë kontekst, kryeministri Kurti veçoi rëndësinë e ndërlidhjes së vlerave demokratike dhe evropiane me interesat ekonomike dhe shkëmbimeve tregtare./KosovaPress
Top Channel