Humbi Botërorin pas dëmtimit në stërvitje, sulmuesi i Argjentinës: U shkatërrua ëndrra!

18/11/2022 23:02

Nico Gonzales, sulmuesi i Fiorentinës u detyrua të largohej të enjten nga grumbullimi i Argjentinës pas një dëmtimi në stërvitje teksa trajneri Lionel Scaloni e zëvendësoi me Angel Correa të Atletico Madrid.

Një humbje e madhe për 20-vjeçarin që ishte shumë pranë debutimit në një Kupë Bote me kombëtaren e tij, ndërsa pas lajmit të keq ai reagoi në rrjetet sociale ku theksoi se ëndrra e tij ishte shkatërruar.

“Ishte një ditë shumë trishtuese për mua, është pak e vështirë ta pranoj sepse humba Botërorin për arsye dëmtimi dhe jo se më lanë jashtë liste. Ishte një ëndërr që e ruaj prej fëmijërisë dhe shkatërrohet një hap larg kurorëzimit. Por, unë do të vazhdoj ta ndjek këtë ëndërr dhe nuk do të heq dorë. Futbolli të jep shumë mundësi dhe tashmë duhet ta kaloj këtë zhgënjim. Është e vështirë ta pranoj, por nuk do të dorëzohem kurrë.

I uroj më të mirën lojtarëve që do të përfaqësojnë Argjentinën në Katar, jam i bindur se në fushë do të japin maksimumin për të bërë të lumtur të gjithë argjentinasit dhe për të marrë atë që dëshirojmë më së shumti. Ky grup meriton më të mirën dhe unë do të jem një argjentinas më shumë që bën tifozllëk për ju. Falenderoj të gjithë ata që shpenzuan një minutë nga jeta e tyre për të më dërguar mesazhe dhe për të më dhuruar kurajo”, shkruan Gonzalez.

Top Channel