Skandali në Ministrinë e Punëve të Brendshme në Kosovë, gjenden krimba në pijet që u shërbeheshin zyrtarëve

17/11/2022 18:07

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka mbyllur përkohësisht bufenë brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Vendimi erdhi për shkak se brenda lëngjeve me të cilat po shërbeheshin zyrtarët e ministrisë janë gjetur krimba.

Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi tha për “Telegraf” se ekipi inspektues ka shkuar në vendin e ngjarjes pas pranimit të ankesave nga zyrtarët.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka pranuar ankesë se në bufenë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, zyrtarët e saj janë shërbyer me pije lëngje-pjeshkë 200 ml, shishe qelqi brenda së cilave ka krimba”, deklaroi Thaçi.

“Menjëherë është dërguar ekipi inspektues për shqyrtim të ankesës. Kontrolli ka nisur nga lloji i produktit të dyshuar. Janë hapur disa njësi të këtij lloji produkti dhe në 50 për qind të shisheve të hapura ka rezultuar se brenda tyre vëreheshin një lloj i krimbave. Lëngje nga frutat e tjera nga prodhuesi i njëjtë nuk janë gjetur”.

Thaçi tha se inspektorati kanë vendosur që sasinë e cila është gjetur të asgjësohet menjëherë, ndërkaq pijet tjera të ndalohen për qarkullim-shitje-servirje deri në hetimin e plotë të rastit.

Ai bëri të ditur se inspektorati ka vazhduar kontrollin inspektues edhe sa i përket kushteve teknike sanitare dhe higjienike.

“Punonjësit nuk kanë poseduar libreza sanitare. Personeli nuk ka qenë i pajisur me rroba të punës. Nuk kanë pasur hapësirë të veçantë për vendosje të rrobave tjera dhe mbathjeve. Në të njëjtën hapësirë kanë qenë të vendosura pijet në dysheme, për disa prej tyre nuk ka ofruar dokumentacion të furnizimit”, tha Thaçi.

“Atje inspektorati ka inspektuar fabrikën prodhuese. Ka urdhëruar tërheqjen e menjëhershme nga tregu të gjitha produktet e linjës së prodhimit të paketimit të qelqit. Po ashtu, ka urdhëruar ndërprerjen e prodhimit për këtë linjë deri në hulumtim të plotë të rastit dhe raportit të analizave laboratorike”.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA