Porti “offshore” i Durrësit/ Juristi Eduard Halimi: Pronat publike të mos jepen në drejtim të paditur

17/11/2022 19:46

Kontrata e portit të ri të Durrësit lë dritare të hapur që paratë të shkojnë dhe të vijnë në parajsa fiskale, pa ditur zotëruesin e tyre të vërtetë. 

“Kompanitë mëmë janë regjistruar në regjistrin tregtar të ishujve Cayman, që  janë parajse fiskale e deklaruar në Bashkimin Europian”, shpjegon juristi Eduard Halimi.

Në analizën e juristit, kontrata ka shumë pikëpyetje që lënë vend për dyshime për sa kohë prona publike i lihet në dorë një rrjeti kompanish të regjistruar në parajsa fiskale.

“Parajsa fiskale jo domosdoshmërisht bëjnë krim korrupsion, pastrim parash. Ky stigmatizim nuk është gjithmonë i vërtetë. Çështja ndërlikohet kur bëhet fjalë për kontrata publike dhe që pasuritë publike të çohen në parajsa fiskale.

Qeveria është luftuesi kryesor i evazionit fiskal, ku për mos lëshimin e një kuponi tatimor, një shitës mund të shkojë në burg, ndërsa për një investim kaq madhor, Ministria e Financave nuk vendos asnjë klauzolë për të luftuar mospagimin e taksave.

“Edhe kur e bën këtë, Ministria e Financave që është gardiane e kontrollit, pra kontrollon nga berberët deri te mediat dhe çon në burg njerëzit që nuk paguajnë kupon tatimor, tani po bëhet promovuese për të bërë devijim fiskal, këtë unë se kam të qartë”, thotë Halimi.

Juristi sjell si shembull analog rastin e dënimit me 8 vite burg të ish-ministrit austriak të financave pasi fshehu të ardhurat e tij në parajsa fiskale.

Gjyqtarja Hoenecker dënoi ish-ministrin austriak të Financave duke thënë: Përse kur bën biznes të sinqerte duhet ta regjistrosh në parajsa fiskale? Pikërisht këtë pyetje duhet ta bëjnë dhe ato që do miratojnë kontratën dhe do përballen me këtë pyetje nga drejtësia”, shprehet juristi.

Ish-ministri i Drejtësisë sheh si zgjidhje hartimin e një nisme ligjore që i lidh duart qeverisë për të mos transferuar pasuri publike në parajsa fiskale.

Pra në mënyre që sikurse biznesmenët dhe investitorët shqiptarë paguajnë taksat një më një dhe ata të huajt sigurisht duhet të paguajnë taksa një më një sa i përket pronave publike”, shton Halimi.

Top Channel