Dyqani i një operatori publik të telekomunikacionit është vjedhur me thyerje gjatë natës së kaluar.

Mëngjesin e sotëm punonjës të kësaj njësie shërbimi të internetit dhe telefonisë e kanë gjetur të thyer derën kryesore. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Mujo Ulqinaku”, në lagjen 5 të qytetit bregdetar.

Nga hetimet e para dhe këqyrja e kamerave të sigurisë rezulton se dy persona të maskuar kanë hyrë brenda në dyqan pas thyerjes së xhamit të derës kryesore dhe kanë marrë prej aty xhiron ditore të tij. Nuk dihet ende shuma e grabitur, ndërsa policia po punon për identifikimin dhe kapjen e dy autorëve.

Ndonëse i pajisur me sinjal alarmi dhe në një rrugë me shumë lëvizje, alarmi në objekt nuk është aktivizuar, gjë që shton dyshimet se mund të ketë një bashkëpunëtor të brendshëm të përfshirë në këtë krim kundër pronës.

Top Channel