Në një intervistë për Zërin e Amerikës kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi thotë se vendi i tij ndodhet përballë një situate të pashembullt në pjesën e veriore, pas largimit të komunitetit serb nga të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës.
Krasniqi, i cili ndodhet këto ditë në Uashington për takime me zyrtarë amerikanë, thotë se të gjithë ata që përcjellin zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe në Kosovë, presin përqendrimin në arritjen e një marrëveshjeje finale me Serbinë. Çështja e pazgjidhur targave është shndërruar në epiqendër të tensioneve. Qeveria e Kosovës po zbaton shkallë-shkallë këtë vendim, megjithë thirrjet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara për ta shtyrë atë me dhjetë muaj.
Krasniqi thotë se është pak vështirë t’ua shpjegosh partnerëve në Uashington se sot rrezikohet një eskalim i situatës mbi çështjen e targave dhe se kjo e fundit po bëhet më e rëndësishme sesa marrëveshja finale. Zoti Krasniqi thekson nevojën për koordinim me Shtetet e Bashkuara duke shtuar se gjatë gjithë viteve, jo vetëm të ekzistencës së shtetit të Kosovës, por sidomos në kohërat më të vështira të historisë së vendit, deri tek pavarësia e shtetndërtimi, të gjitha kanë qenë procese që kanë ndodhur vetëm falë koordinimit dhe përafrim të qëndrimeve me Uashingtonin. Me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi bisedoi gazetarja e Zërit të Amerikës Menada Zaimi.
Zëri i Amerikës: Zoti Krasniqi, diplomatët amerikanë dhe ata evropianë e kanë cilësuar situatën aktuale në veriun e Kosovës si më të rrezikshmen që nga viti 2013. Nga pikëpamja juaj cila është rrugëdalja nga situata aktuale?
Memli Krasniqi: Ju falemnderit shumë për ftesën. E vërteta është që ne sot përballemi me një situatë të paprecedentë në pjesën veriore të vendit tonë pas vendimit të zyrtarëve të komunitetit serb që të largohen nga të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës. Padyshim që kjo ka krijuar një vakum të funksionimit të sovranitetit dhe shtetit të Kosovës. Andaj edhe paralajmërimet për veprime të mëtejshme janë shumë shqetësuese. Unë e kam filluar vizitën time në fillim të kësaj jave në Bruksel ku kam takuar zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian në Parlamentin Evropian, por edhe ndërmjetësin e dialogut Kosovë – Serbi, zotin Lajçak dhe kam vazhduar nga dje takimet në Uashington ku kam takuar edhe të dërguarin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Escobar, por po ashtu edhe shumë ligjvënës e senator. E këto takime do t’i vazhdojë edhe nesër. Vërej që ka një shqetësim të theksuar, ndoshta ashtu siç thuhet edhe më të madh se në të kaluarën dhe ky shqetësim vërtetë kërkon një trajtim më të përgjegjshëm edhe nga ana e institucioneve të Kosovës sepse është koha për të pasur veprime dhe mendime të matura e të përgjegjshme që e ruajnë ushtrimin e sovranitetit të Kosovës në veriun e vendit dhe po ashtu të mirëmbajnë rendin publik, siç ka qenë në vitet e fundit.
Zëri i Amerikës: Çështja e pazgjidhur e targave, Krasniqi duket se është edhe epiqendra e tensioneve dhe është një problem që duhet thënë është trashëguar nga qeveritë e shkuara. Ajo çfarë duket se po bën qeveria aktuale është thjeshtë zbatimi i ligjit. Ku qëndron përgjegjësia e saj?
Memli Krasniqi: E vërteta është që çështja, vendimi siç e kemi thënë dhe mbështetur është vendim legjitim i qeverisë së Kosovës. Askush nuk e konteston këtë. As partnerët tanë amerikanë dhe as ata në Evropë. Por kërkesa aktuale e miqve tanë, e mbështetësve kryesorë të Kosovës do të thoja është që të ketë një shtyrja disa mujore, konkretisht 10 mujore në mënyrë që t’i jepet mundësi avancimit të procesit të dialogut. Është pak vështirë që t’ua shpjegojmë partnerëve tanë këtu në Uashington se sot kemi një rrezikim të eskalimit të situatës për çështjen e targave të veturave sepse edhe njerëzit që e kanë përcjell Ballkanin Perëndimor dhe zhvillimet në Kosovë, kanë pritur që ne tash të jemi të përqëndruar në arritjen e një marrëveshjeje finale, të përgjithshme dhe të zbatueshme, obligative ndërkombëtarisht ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që do të përqëndrohet nga njohja e ndërsjellë. Andaj vërtetë është problematike që t’ua shpjegojmë që targat e veturave janë më të rëndësishme sesa çështja e marrëveshjes finale. Unë besoj se gjatë gjithë viteve, jo vetëm të ekzistencës së shtetit të Kosovës, por sidomos në kohërat më të vështira të historise sonë kombëtare, gjatë luftës në Kosovë, edhe projekti i çlirimit të Kosovës, edhe ai i pavarësimit dhe shtetëndërtimi i Kosovës ka ndodhur vetëm kur kemi pasur koordinim dhe përafrim të qëndrimeve tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Andaj çdo sukses i arritur i Kosovës dhe i populli tonë ka qenë i lidhur me mbështetjen amerikane dhe konsideroj që kjo duhet të jetë prioritet edhe në këtë kohë sfiduese.
Zëri i Amerikës: Në pamje të parë duket sikur tensionet janë krijuar për një çështje teknike, për një çështje të vogël, siç është ajo e targave. A parashikoni ju një përshkallëzim të situatës, kur pritet faza e dytë e zbatimit të vendimit që parasheh gjobitjen e përdoruesve të tragave të lëshuara nga Serbia?
Memli Krasniqi: Unë besoj që tani fokusi kryesor i qeverisë dhe institucioneve duhet të jetë që të mos ketë përshkallëzim të situatës. Nëse ka një insistim ndërkombëtar para së gjithash amerikan, për të patur një periudhë shtesë në zbatimin e çështjes së targave unë besoj që kjo duhet të konsiderohet dhe të merret shumë seriozisht. Besoj që çdo qytetar i Kosovës nuk ndjehet mirë me faktin që ne sot në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kemi një ndjenjë të mosrespektit ndaj kërkesave të tyre. Është e vërtetë që kryeministri i Kosovës tashmë dy herë brenda këtij viti i ka thënë JO sekretarit të Shtetit në Departamentin e Shtetit. Është diçka që ne zakonisht nuk e kemi arsyetuar në të kaluarën jo për arsye që duhet t’i nënshtrohemi çdo kërkese që vjen nga partnerët tanë, po për faktin që është dëshmuar historikisht që shteti amerikan gjithmonë e ka pasur interesin e Kosovës si bazë të kërkesave dhe veprimeve në raport me Kosovën, me popullin e Kosovës, me popullin shqiptar dhe me rajonin e Ballkanit Perendimor në përgjithësi.
Zëri i Amerikës: Zoti Krasniqi, çfarë duhet të ndodh me çështjen e themelimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe. Brukseli dhe Uashingtoni e ka thënë qartë, i kërkon Prishtinës zyrtare që të veprojë në këtë drejtim. Çfarë duhet të ndodhë?
Memli Krasniqi: Partia Demokratike e Kosovës ka qënë konsistente në qëndrimet e saj, që ne duhet të kemi angazhim në dialogun për normalizimin siç quhet të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe që qëllimi duhet të jetë pa asnjë mëdyshje njohja reciproke, njohja e Kosovës nga Serbia për të qenë konkret. Dhe pastaj pa u arritur kjo, besoj që të gjitha çështjet e tjera janë problematike që të zbatohen apo të diskutohen. Gjatë gjithë këtyre viteve nuk ka qënë lehtë që ne të jemi pjesë e këtij dialogu, nuk ka qënë lehtë që të arrihen marrëveshjet e kaluara. Të gjitha ato kanë qënë pjesë e një procesi që ka qëllimin final, njohjen e ndërsjelltë mes Kosovës dhe Serbisë, andaj çështja e asociacionit pa dyshim duke marrë parasysh vetëm atë gjykimin dhe vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës mund të trajtohet në këtë kuadër, si pjesë e një marrëveshje të përgjithshme dhe finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Zëri i Amerikës: Pra ju jeni për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pra që të hartohet statusi i asociacionit të bëhen ndryshimet e nevojshme, ato që ka propozuar Gjykata Kushtetuese dhe të proçedohet.
Memli Krasniqi: Ajo duhet të ndodhë në kuadër të një marrëveshje të përgjithshme, pra që sjell njohjen e ndërsjelltë mes Kosovës dhe Serbisë.
Zëri i Amerikës: Marrëveshja fillimisht pastaj asociacioni?
Memli Krasniqi: Duhet të jetë gjithçka pjesë e kësaj marrëveshje. Ne gjithmonë kemi thënë që mënyra për tu qasur dialogut duhet të jetë ‘nuk jemi dakorduar për asgjë pa u dakorduar për gjithçka’.
Zëri i Amerikës: Cili është mendimi juaj për propozimin franko-gjerman lidhur me një marrëveshje mes palëve?
Memli Krasniqi: Nga ajo që po i dëgjojmë edhe zyrtarët gjermanë edhe francez duke thënë, është një projekt apo një propozim evropian, i mbështetur siç ka deklaruar edhe emisari Eskobar, i mbështetur 100 përqind nga Shtetet e Bashkuara dhe nga ajo që unë e kam parë është problematike që të pranohet si i tillë. Por konsideroj që ka pasur një koncentrim të vëmendjes dhe të interesimit të gjithë partnerëve të Kosovës nga Shtetet e Bashkuara e të gjitha shtetet e rëndësishme evropiane, nga vetë Bashkimi Evropian për të pasur një hap para në proces dhe kjo nuk ka ndodhur për një periudhë të gjatë, prandaj unë besoj që duke qenë një shtet serioz, ne duhet ta trajtojmë seriozisht këtë projekt edhe që të kemi një angazhim institucional për të negociuar tutje dhe të arrijmë sa më shumë nga aspiratat e vendit tonë, por pa dyshim që njohja e ndërsjelltë duhet të jetë bazamenti i çfarëdo lloj procesi i cili ndërlidhet me marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë.
Zëri i Amerikës: Presidentja e Kosovës e ka caktuar datën e zgjedhjeve të parakohshme në veri. Çfarë kuptimi do të kishin këto zgjedhje ndërkohë që Lista Serbe nuk do të marrë pjesë, komuniteti serb mund të mos marrë pjesë?
Memli Krasniqi: Meqënëse këto janë komuna ku shumica e qytetarëve të Kosovës janë të komunitetit do të jetë vështirë dhe problematike që të arsyetohet legjitimiteti, por ne nuk kemi rrugëdalje tjetër – ligji dhe kushtetuta janë mbi të gjitha, ndaj edhe duhet të ndodhin ato.
Top Channel