Komitetit Shqiptar i Helsinkit, përmes nismës “Monitorimi i të drejtave të njeriut nëpërmjet fuqizimit të mbrojtësve lokalë” po synon monitorimin më të mirë të problematikave në rritje mbi situatën social-ekonomike dhe politike, krijuar së fundmi në Shqipëri.
Në takimin e organizuar në Shkodër, drejtuesja ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Erida Skëndaj, tha se po punohet për aktivizimin e një numri më të madh të mbrojtësve lokalë për të monitoruar problematikat dhe për të mbajtur institucione vendore dhe qendrore transparente dhe të ndërgjegjshme. Korrupsioni dhe efikasiteti i sistemit të drejtësisë, tha zonja Skëndaj, janë vënë në qendër të përceptimit dhe shqetësimit të qyetetarëve.
“Korrupsioni vijon të mbetet shqetësues. Pra, nëse ne me Reformën në Drejtësi mendonim se do të çrrënjosnim korrupsionin nga sektori publik dhe privat, perceptimet vijojnë të jenë ende të larta edhe nga takimet që ne kemi me qytetarët, por edhe me të rinjtë, ku, një pjesë, arsyet e largimit të tyre lidhen me mungesën e meritokracisë, korrupsionin, me faktin që nuk kanë mundësi të mjaftueshme dhe të përshtatshme për ta. Pra, vijojmë të jemi në termat e shqetësimit të niveleve të korrupsionit”, tha zonja Skëndaj.
Duke qenë një nga shqetësimet kryesore të shoqërisë shqiptare, Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka vlerësuar si të rëndësishëm monitorimin e rasteve të korrupsionit, të hetuara nga organet e drejtësisë.
“Kemi filluar një nismë për të monitoruar organet e sistemit të drejtësisë penale përsa i takon hetimit dhe ndëshkimit të rasteve korruptive. Sepse, tashmë po bëhen rreth 7 vite nga miratimi i Reformës në Drejtësi dhe duhet të kalojmë në rezultate më të matshme, më të ndjeshme, ku qytetarët raportojnë, sinjalizojnë korrupsionin, por, nga ana tjetër, organet e drejtësisë duhet të përgjigjen me më shumë efiçencë dhe përgjegjshmëri për hetimin dhe ndëshkimin e këtyre rasteve”, thotë drejtuesja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
Me një përvojë 32 vjeçare, që në fillimet e pluralizmit politik në Shqipëri, Komiteti Shqiptar i Helsinkit po monitoron edhe ecurinë e Reformës në Drejtësi, ku vëren se ende nuk ka rezultate të prekshme që të ndikojnë në jetën e qytetarëve.
“Jemi ende në fazën ku nuk kemi ato rezultatet e matshme dhe impaktuese për qytetarët. Qytetarët duan drejtësi pa vonesa, drejtësi me cilësi, ndërkohë që ka një numër të konsiderueshëm gjyqtarësh dhe prokurorësh tashmë të hequr nga sistemi, ose të larguar nga sistemi i drejtësisë. Kjo do të thotë se çështjet e shtetasve vijojnë të presin në dyert e gjykatave.”
Drejtorja ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Erida Skëndaj, tha se mbetet një proces për t’u monitoruar efekti që pritet të sjellë për qytetarët zbatimi i hartës së re të gjyqësorit që, sipas saj, zvoglon në mënyrë drastike numrin e gjykatave. Por mbetet të shihet se sa do të ndikojë ajo në shtimin e qasjes që qytetarët kanë në sistemin e drejtësisë./VOA
Top Channel