Evazioni shkon 300 milionë euro/ Ekspertët: Bordi i naftës të ishte në vartësi të Parlamentit, jo të ministreve Balluku-Ibrahimaj

17/11/2022 19:36

Bordi i Transparencës për Çmimet e Karburanteve është i ngritur në konflikt të hapur interesi, pasi gjysma e tij përbëhet nga përfaqësues të kompanive të naftës, të cilat në fakt janë subjekte kontrolli nga ana e këtij bordi.

Kjo është njësoj sikur në një trup gjykues të ketë përfaqësues të të pandehurit.

“Bordi i Transparencës në kushte krizë është i nevojshëm, por jo në këtë formë që është ai sot. Duhet të ishte Ent Rregullator, jo në varësi të qeverisë, por në varësi të Parlamentit, i  përbërë nga njerëz profesionistë. Mjafton të përmendim shembullin e vendeve fqinje, konkretisht atë të Maqedonisë së Veriut që e ka një ent të tillë”- shprehet Gjergj Buxhuku, Ekspert për Ekonominë.

Çmimet aktuale të karburanteve e rendisin Shqipërinë ndër vende e para në botë.

“Thelbi i çmimeve të rritura të naftës tek ne që mbahen me taksa të larta qeveritare dhe me çmimet e larta që vendos Bordi i Transparencës, por edhe ekonomia e sektorit të karburanteve që është në kushte oligopoli, është Kontrabanda Masive e Naftës. Ky është thelbi i thelbit. Kontrabanda masive e naftës në Shqipëri është e përmasave të tilla kaq të mëdha, sa mjafton që të shikojmë që ne konsumojmë 25% më pak sesa Kosova, konsum I deklaruar flas, ndërkohë që duhet të konsumonim 30-40% më shumë sesa Kosova. Kjo jep atë shifrën prej të paktën 300 milionë euro në vit taksa dhe tatime të cilat nuk arkëtohen nga shteti shqiptar në aferën e karburanteve që për mendimin tim është afera më e madhe korruptive që ka ndodhur këto 30 vite në ekonominë shqiptare dhe vazhdon të ndodhë edhe sot. Praktikisht është nga një aferë inceneratorësh që kryhet çdo vit.  Zgjidhja e këtij problemi kombëtar do një vullnet të madh politik, sepse realisht jo se nuk dihen këto gjëra, por ato me qëllim mbahen të tilla, pikërisht për të realizuar këtë aferë kaq të madhe”- thotë eksperti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA