Pas kryeministrisë një ditë më parë, banorët e Berxullit e zhvendosën protestën e tyre para parlamentit këtë të enjte, me shpresën se dikush nga deputetët do të ndalej të dëgjonte  shqetësimin e tyre, por sërish mbeten të zhgënjyer .

Protestës së tyre iu bashkuan edhe qytetarë që ndajnë të njëjtin shqetësim por që nuk preken nga koncesioni Thumanë-Kashar.

“Këto të gjithë janë në një grumbull nuk ka opozitarë dhe pozitarë, janë të gjithë bashkë. Popullin e kanë lënë në një anë, e shkelin e zhvasin, e vjedhin, bëjnë çfarë të duan. Prandaj kemi ardhur sot para Parlamentit të na shohin e dëgjojnë”, tha një protestues.

“Nuk pyesin për popullin fare marrin votat e bëjnë ligjin sipas qejfi. Janë palë me njëri-tjetrin. Ai që ka firmën, koncesionari i Gener 2, është kushëriri i parë i Sali Berishës”, tha protestuesja.

“Ne do ta kërkojmë të drejtat tona edhe sikur në gjykatat më të larta, në Strasburg”, deklaroi një protestuese.

Banorët e Bërxullit thonë se nuk do të ndalen e nuk do t’i lëshojnë tokat e tyre edhe pse tanimë pa mbështetjen e askujt.

Top Channel