Kontejnerë të kontaminuar dhe qindra kilogramë lëndë narkotike të kapura gjatë dy viteve të fundit në Durrës kanë vënë në alarm strukturat ligjzbatuese në vend.

Çdo kontejner frigoriferik e mallrash po i nënshtrohet çdo ditë kontrolleve të imëta në territorin e terminalit të kontejnerëve në portin detar të Durrësit.

Task-Forca që vepron në Portin e Durrësit dhe strukturat e tjera, përfshirë dhe SPAK e Byronë Kombëtare të Hetimit ushtrojnë prej ditësh kontrolle fizike në kontejnerët e importuar dhe që ndodhen në territorin e portit.

Rasti i fundit kur në një kontejner të konsideruar të pastër nga skaneri u gjet lëndë narkotike brenda arkave me banane Banaking të ardhura për llogari të kompanisë Zico sh.a., rast ky i përsëritur, i ka vënë në lëvizje strukturat për kontrolle të imëta fizike të ngarkesave dhe strukturës së kontejnerëve.

Ndërkohë e gjithë kosto kohore dhe financiare e këtyre kontrolleve po përballohet nga kompanitë shqiptare dhe kosovare pritëse të mallit.

Për çdo kontejner të shkarkuar e ngarkuar kosto që i faturohet klientit shkon në rreth 350 euro, faturë kjo që më pas kompanitë e reflektojnë në çmimin e produkteve dhe rënduar më tej konsumatorët si hallka e fundit e zinxhirit.

Top Channel