Inceneratori i Fierit/ SPAK lëshon 11 urdhër arreste, në pranga 5 persona, gjashtë në kërkim (Emrat)

16/11/2022 13:46

Duke i dyshuar si të implikuar në inceneratorin e Fierit për akuza që nga korrupsioni, shpërdorimi i detyrës, pastrimi i parave dhe skemat mashtruese me TVSH, SPAK kërkoi të arrestohen edhe 11 shtetas të tjerë.

Prej tyre u arrestuan 5, kurse 6 të tjerë po kërkohen ende. Arben Dervishaj, aktualisht zv.president i FSHF-së, por i arrestuar në cilësinë e mbikëqyrësit të punimeve për inceneratorin e Fierit dyshohet se jo vetëm përfitoi udhëtime falas në Itali dhe pa ndeshje futbolli, por që firmosi situacione false sikur punimet të ishin kryer.

Katër të arrestuarit e tjerë janë Regan Merdani, Robert Shabani, Enver Sheshi dhe Gentian Zifla. SPAK përmend se aksioneri krysor Klodian Zoto në bashkëpunim me Arenc Myrtezanin pasqyruan gjithashtu situacione të pavërteta në vlerën e 4 milionë euro, që më pas u paguan nga ministria e mjedisit e duke u përfituar nga shoqëria koncensionare.

Me përjashtim të Dervishaj, katër janë administratorë në tetë subjekte private prej të cilave SPAK dyshon se kryen blerje fiktive nga kompania koncensionare. Teksa ndërkohë për të njëjtën dosje prej marsit mbahet në paraburgim Lefter Koka, SPAK kujtoi edhe në njoftimin e radhës se ish-zyrtari i lartë dyshohet të ketë pastruar para. Kurse ish-sekretari i përgjithshëm Alqi Bllako dyshohet se u favorizua nga shoqëria koncensionare mbasi i ati përfitoi një pagë mujore prej 6 mijë euro për periudhën nga 2018 në 2020,
SPAK thotë se koncensionarit iu paguan nga Ministria e Mjedisit dhe e Energjetikës një shumë prej 4 miliardë lekë deri në qershor 2022, kohë në të cilën po sipas një njoftimi të mëparshëm rezulton se kjo shoqëri ishte sekuestruar prej marsit 2022.

Njoftimi zyrtar nga SPAK deklaron se shoqëria nën hetim u vendos nën sekuestro në mars, por duke u bazuar tek njoftimi i dytë mbetet e paqartë se si vijuan të kryhen pagesat nga autoritetet kontraktore ndaj një subjekti të bllokuar për llogari të çështjes penale.

Top Channel