Betejat sipërfaqësore të opozitës/ Hesht për koncesionet me miliarda euro të rrugëve! Ekspertët: Janë fryrë kostot

16/11/2022 19:36

Qeveria nuk ndalet në dhënien e projekteve infrastrukturore përmes koncesioneve.

Së fundmi u shpall fituesi për rrugën Lekaj-Fier, së cilës do i vendoset trau me pagesë dhe do shfrytëzohet nga koncesionari për 35 vite, ndërsa ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku njoftoi edhe aktivizimin e koncesionit Thumanë-Kashar me po të njëjtën skemë.

Për këto koncesione po flet vetëm media, ndërkohë opozita po hesht.

“Opozita nuk ka artikuluar akuza të bazuara në lidhje me këto kontrata dhe merret me gjëra të cilat nuk kanë realisht impakt drejtpërsëdrejti mbi qytetarët“, shprehet Igli Tola.

“Qeveria të vihet nën presion. Këtu problemi nuk është me i heq një trofe nga duart dikujt dhe me ja dhënë dikujt tjetër. Këtu problemi është, i bëhet mirë apo keq ekonomisë kombëtare me këtë epidemi, me këtë agresion, nga oligarkët dhe lobet politike që mbështesin oligarkinë mbi gjithçka publike”, thotë Zef Preçi.

Për ekspertët koncesionet kanë kosto të fryra dhe për 35 vite do rëndojnë mbi qytetarët, ndërsa kompanitë që bëjnë biznes me shtetin nuk kanë asnjë risk.

“Kemi parë që të gjithë kontratat e PP në vendin tonë të gjithë barrën e risku e mban shteti dhen momentin kur nuk garantohen të ardhurat ka nj garanci sovrane që mbulon humbjet. Në një krahasim kostosh nga studimi i fizibiliteti i bërë del që kostoja është minimalisht dyfish më e lartë se realisht ka shpenzime“, thotë Tola.

“Kur vijmë tek rrugët duhet të dimë se është plotësisht e mundshme për tu financuar me kredi të buta dhe me grante nga Bashkimi Europian me fondet e para-anëtarësimit. Nëse udhëtoni në Greqi dhe shikoni rrugët që janë ndërtuar, të gjitha janë ndërtuara para viteve 90 dhe me fondet e Bashkimit Europian“, shton Preçi.

I pyetur se si e komenton deklaratën e qeverisë që thotë se zero para nga buxheti do të shkojnë për këto projekte, Preçi përgjigjet:

“Për mua kjo është një tallje me opinionin publik. Çfarëdolloj investimi i mbështetur në kontratë publike, qoftë para publike, qoftë nga donatorët apo nga sektori privat janë para që duhet gjetur mënyra për ti kthyer mbrapsht dhe e vetmja është kontributet e bizneseve dhe qytetarëve”.

Top Channel