Diskutime dhe debate të forta kanë shoqëruar ditën e sotme mbledhjen e Komisionit të Integrimit Evropian ku është diskutuar dhe miratuar projekligji i ‘Infromacionit të Klasifikuar”.
Theksi u vu sërish mbi sulmet ndaj sigurisë kibernetike nga hakerat iranianë, për të cilët Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, tha se vijojnë ende, por sulmet po menaxhohen me sukses.
Nga ana tjetër Jorida Tabaku, tha se qeveria ka shpenzuar miliona euro për një sistem që sipas saj nuk a funksionuar siç duhet, ndërsa Spiropali i është kundërpërgjigjur se vendi ynë shpenzon në funksion të kësaj fushe 34 herë më pak se Estonia.
Elisa Spiropali: Në javë 1 milionë sulme ndaj sistemit digjital, të cilat kthehen mbrapsht, po ju them që ky nuk ishte sulm i disa fëmijëve në bodrum, por nga republika islamike e Iranit, Shqipëria ka reaguar shumë shpejt për tu rimëkëmbur, për 12 ditë. Shpenzojmë 34 herë më pak se Estonia për mbrojtjen digjitale, një vend sa gjysma e Shqipërisë shpenzon në vit aq sa kemi shpenzuar ne në 9 vite. Për të mos folur për BE, 127 miliardë euro për sigurinë.
Jorida Tabaku: Problem është që ju digjitalizimin e konsideroni si tendera rrugësh. E marrin kompani të mëdha që e nënkontraktojnë dhe pastaj bëhet shto ujë e shto miell dhe pastaj bëhen si koncesionet e rrugëve.
Dorian Tola: Nuk janë pjesë e sistemeve të klasifikuara. Infrastruktura që trajton informacionet e klasifikuara nuk është prekur. Të dhënat e tjeraqë dalin, janë të dhëna sensitive, por jo të dhëna të klasifikuara.
Top Channel