Fiks Fare/ “Shqipëria turistike, turizëm shëndetësor”, u investuan 16 mln lekë por llixhat e Dimalit s’kanë ujë!

15/11/2022 20:45

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së martës abuzimet me fondet në Bashkinë Dimal, e cila ka investuar një shumë prej 16 milionë lekë për rregullimin e një vendburimi llixhash. Por, disa muaj pas këtij investigimi, kamera e emisionit investigativ faktoi se në atë zonë nuk ka ujë. Bashkia e Dimalit do të investojë të tjera para’ për të marrë ujin nga një tjetër burim për ta çuar në vendin ku dhe bëri investigimin.

Sipas dokumenteve që disponon emisioni investigativ, në vitin 2021, Bashkia e Dimalit investoi 16 milionë lekë për “rikualifikimin e zonës së llixhave” në lagjen “28 Nëntori”. Synohej që zona e Llixhave të bëhej e frekuentuar, madje kryetarja e Bashkisë së Dimalit, Juliana Memaj, bëri disa deklarata në media për “Shqipërinë turistike”.

Projekti u bë me shpejtësi nga Bashkia Dimal, madje edhe procedurat e tjera. Sipas dokumenteve, në tetor të vitit 2020, bashkia e cila në atë kohë quhej Ura Vajgurore, shpalli fituesin e tenderit “studim, projektim për rrugët”. Bëhej fjalë për ndërtimin e rrugëve të aksesit 2 urat dhe Llixhat e qytetit. Fondi për këtë tender ishte 1.5 milionë lekë të rinj.

Ndërkohë, sipas një tjetër dokumenti, një vit më vonë, në tetor 2021, bashkia e cila tashmë ndërroi emër dhe quhet Dimal, ka shpallur fituesin e tenderit të ndërtimit të Llixhave. Fitues u shpall bashkimi i operatorëve “KOLOSEU” dhe “FLED”, të cilët kishin edhe ofertën më të lartë në këtë tender me vlerë 15.6 milionë lekë. Firma tjetër që mori pjesë dhe kishte ofertë më të ulët u s’kualifikua.

Por, pa kaluar as 1 vit nga përurimi apo ndërtimi i kësaj vepre, në redaksinë e Fiks Fare mbërritën informacione se burimi s’ka ujë! Gazetarët udhëtuan në atë zonë, ku pas vëzhgimit bisedoi edhe me banorë të zonës. “Ky burim ku është investuar s’ka pasur ujë në 12 muajt e vitit. Vjen me sezone. Tani që e bënë këta s’ka më ujë. E kanë ‘trembur’. Është një burim ngjitur atje, ai ka gjithmonë po këta e bënë këtu” thonë banorët.

Ndërkohë, roja i llixhave thotë se “ata të bashkisë kanë ardhur dhe kanë parë burimin ngjitur. Do e marrin ujin te burimi ngjitur dhe do e sjellin te investimi”!

Fiksi shkoi te vendi ku ishte investuar. E gjithë zona është sistemuar, madje është bërë një rrugë e shtruar me kalldrëm. Te burimi janë bërë mure me gur. Por, ujërat termale, më kryesorët e llixhave, “janë zhdukur”.

Ngjitur me investimin është një tjetër burim me ujëra termale. Gazetarët shkojnë te ai vend, por çuditërisht, burimi kishte ujë! Fiks Fare ka mësuar se Bashkia e Dimalit po bën një tjetër studim, të cilin do e përkthejë më pas me një tjetër investim, që ujërat e burimit të pashtershëm t’i sjellë në vendin ku ka investuar.

Pra, do të duhen të tjera miliona për ta bërë funksionalë investimin e parë 16 milionë lekë. Gabimet në studimet dhe projektime sollën që kjo bashki të investojë këtë shumë për “Shqipërinë turistike” dhe “turizmin shëndetësor”. Por, që deri më tani, nuk është shfrytëzuar asnjëherë!

Fiksi pyeti edhe në Bashkinë Dimal, por askush nuk pranoi të jepte intervistë, as kryetarja Juliana Memaj e cila para investimit “mburrej” në rrjete sociale dhe media. Madje, kjo bashki nuk denjoi të kthente përgjigje edhe pas kërkesës për informacion.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel