Katër persona që merrnin bagëti nga Maqedonia e Veriut dhe i kalonin në vendin tonë në mënyrë të jashtëligjshme, apsi kafshët nuk kishin numra matrikulimi, u arrestuan këtë të martë.

Shtetasit E., 30 vjeç, A. D., 34 vjeç, B. Z., 27 vjeç dhe N. Z., 34 vjeç, banues në Dibër, pasi siguronin bagëtitë e imëta dhe të trasha në Maqedoninë e Veriut, i kalonin në drejtim të Shqipërisë nëpërmjet kufirit të gjelbër në Bllatë.

Fillimisht i mbanin në stallat e tyre dhe më pas i shisnin kundrejt shumave të ndryshme monetare.

Gjatë kontrollit të ushtruar në stallat në pronësi të këtyre shtetasve, u gjetën 64 krerë bagëti të imëta dhe të trasha, të pamatrikulluara, të dyshuara të kontrabanduara, të cilat u bllokuan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin furgon që shërbente për transportimin e tyre.

Në vijim të hetimeve janë dokumentuar me prova ligjore 5 raste të kontrabandimit të bagëtive, të kryera nga këta shtetas.

Të arrestuarit do të hetohen nga Prokuroria e Dibrës për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”,  “Fshehja e të ardhurave” dhe “Transportimi, tregtimi i mallrave që janë kontrabandë” , të kryera në bashkëpunim.

Top Channel