Në tremujori e tretë të vitit u shënuan gjithsej 5,130 vdekje në total. Në krahasim me tremujorin e tretë të 2020-s, kur sapo filloi vala e pandemisë në vend dhe që deri tani mban rekordin për periudhën korrik-shtator, humbjet e jetës janë reduktuar me 22.5%.

Në raport me tremujorin e tretë 2021, tkurrja është gati 20%.

Gjithsesi, vdekjet mbeten ende më të larta sesa mesatarja e të njëjtës periudhë 2016-2019, me rreth 4% më shumë.

Për gjithë 9 mujorin, në vend kanë humbur jetën gati 18 mijë persona, me një rritje prej 10% në krahasim me mesataren e të njëjtës periudhë 2016-2019.

Kjo rritje është e lidhur me tremujorin e parë të vitit, kur vendi akoma po vuante nga pasojat e pandemisë (shiko grafikun: Vdekjet sipas tremujorëve në pandemi 2020-2022, krahasuar me mesataren 2016-2019).

Në raport me 9 mujorin 2020, humbjet e jetës kanë rënë me vetëm 1%, por vala e madhe e pandemisë në 2020-n ishte në tremujorin e katërt.

Ndërsa në raport me periudhën janar-shtator 2021, vdekjet ishin 21% më të ulëta.

16.3 mijë vdekje shtesë më shumë që nga fillimi i pandemisë

Që nga fillimi i pandemisë, në mars 2020, në vend janë shënuar rreth 16.3 mijë humbje jete më shumë, në krahasim me mesataren e 2016-2019. (shiko grafikun: Rreth 16.3 mijë humbje jete shtesë që nga fillimi i pandemisë/Shtesa e vdekjeve sipas tremujorëve, në raport me mesataren përkatëse 2016-2019)

Mjekët pohojnë se vdekshmëria shtesë lidhet si me pasojat direkte që dha pandemia, sidomos në periudhën 2020-2021, në mungesën e kujdesit për sëmundjet e tjera, kryesisht gjatë periudhës së karantinës, që çoi në vonesa të diagnostikimeve.

Një tjetër faktor i rëndësishëm lidhet me pasojat që la pandemia në shëndetin e shumë personave që e kaluan atë, duke bërë që të humbin jetën më pas.

Top Channel