Spektakli më i madh i kërcimit “Dancing With the Stars” është pritur pozitivisht nga publiku që ka ndjekur shfaqjen të premten gjatë transmetimit ‘live’ në Top Channel, por dhe në rrjetet sociale ku publikohen video nga kërcimet e konkurrentëve.
Në revistën më të madhe të programeve audiovizive në botë, World Screen Social, Wit List renditet në vend të tretë për muajin tetor. Duke analizuar shfaqjet që nisën transmetimin muajin e kaluar dhe ecurinë e tyre në rrjetin social “Instagram”, Wit List rendit në vend të parë “Gran Hermano” (Vëllai i Madh) në Argjentinë, në vend të dytë “Star Academy” në Francë dhe në vend të tretë “Dancing With the Stars” në Shqipëri.
“DWTS” ndezi dritat në 7 tetor kur 14 konkurrentë VIP zbritën në skenë, duke performuar krah balerinëve profesionistë dhe për një muaj arriti 124 mijë ndjekës në “Instagram”, sikurse shihet në faqen e Wit List.
“DWTS” moderohet nga Bora Zemani, ndërsa në ‘Gold Room” qëndron Eno Popi. Juria e “Dancing With the Stars”, përbëhet nga një panel me profesionistë dhe personalitete të ekranit shqiptar. Kryetar i jurisë është Kledi Kadiu, ndërsa anëtarët e tjerë janë Valbona Selimllari, Dalina Buzi dhe Armand Peza.
Çdo të premte, spektakli kërcimit ka ardhur me një tematikë të veçantë duke sjellë në skenë perfomanca ikonike, kërcime klasike dhe moderne.
Top Channel