Botërori i Katarit është vetëm shtatë ditë larg teksa të dielën e ardhshme do të luhet edhe ndeshja e parë, ajo mes organizatorëve të Katarit dhe Ekuadorit, pjesë e Grupit A.

Si zakonisht, pritet që para sfidës të mbahet ceremonia hapëse e cila ashtu siç jemi mësuar përgjatë kompeticioneve paraardhëse, është spektakolare dhe e mbushur me shumë surpriza.

Së fundmi, përflitej se pjesë e ceremonisë hapëse do të ishte edhe këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa. Megjithatë, vetë Dua nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale bën të ditur se diçka e tillë nuk është e vërtetë dhe se nuk do të marrë pjesë në ceremoninë hapëse të Katarit.

“Aktualisht ka shumë spekulime se unë do të jem pjesë e ceremonisë hapëse në Botërorin e Katarit. Ju bëj me dije se nuk do të performoj në Katar, madje nuk kam qenë as në negociata për ta bërë diçka të tillë. Do të bëj tifozllëk për Anglinë nga larg dhe pres që ta vizitoj Katarin në momentin kur të plotësoj të drejtat e njerëzve, ashtu siç premtoi kur fitoj të drejtën për të organizuar Kupën e Botës”, përmbyll reagimin e saj në rrjetet sociale Dua Lipa.

Top Channel