Si të shpëtoni një marrëdhënie që po shkon drejt fundit? Terapistët zbulojnë shenjat dhe mënyrat për ta rindërtuar
Ndërroi jetë aty ku jetoi 18 vjet, në terminalin 2F të aeroportit të Parisit, Charles De Gaulle.
Refugjati iranian i pastrehë, Mehran Karimi Nasseri, 77 vjeç, i cili e quajti veten Sir Alfred, mbylli sytë në aeroportin që e bëri shtëpi të vetën. Historia e tij frymëzoi regjisorin hollivudian, Steven Spielberg për filmin “The Terminal”.
Ishte viti 2004 kur falë kinemasë u bë i njohur në mbarë botën dhe aktori Tom Hanks e ktheu në protagonist të paharrueshëm.
Pas filmit kushtuar jetës së tij veçanërisht të vështirë, për refugjatin iranian që zgjodhi për shtëpi aeroportin e Parisit, erdhën vitet e lavdisë. Në aeroportin e Parisit, i ulur në një divan të kuq, Sir Alfred, filloi të priste gazetarë. Por, pas disa vitesh shkëputje të kaluar në dhomën e një hoteli, u rikthye në aeroport i mbetur pa paratë e mbledhura në kohën kur u bë i njohur falë filmit, ndonëse kur ndërroi jetë, në xhepa iu gjetën disa mijëra euro.
Në intervistat e vitit 2004, foli mbi dëshirën për t’u “arratisur” nga aeroporti dhe ëndrrën amerikane, ajo e një fundi të lumtur në Kaliforni.
Jam i kënaqur që historia ime mund të frymëzojë filma. Këtu kaloj ditët, duke shkruar shënime për jetën time. Lexoj gazeta amerikane e britanike, si dhe romane. Por, këtu nuk mund të flasim për jetën. Shpresoj që “Terminali” të më ndihmojë të largohem për në Shtetet e Bashkuara.
Mehran Karimi Nasseri lindi në vitin 1945 në Masjed Soleiman, në provincën iraniane të Kuzistanit, por u vendos në aeroportin e Parisit në nëntor 1988, pas një udhëtimi të gjatë që e çoi në Londër, Berlin e Amsterdam në kërkim të nënës. Çdo herë, autoritetet britanike, gjermane e holandeze e dëbonin si emigrant pa dokumente.
Në vitin 1999, më në fund siguroi statusin e refugjatit në Francë e një leje qëndrimi, por ndoshta në një konfuzion nga vitet e qëndrimit në aeroport dhe stresi, refuzoi t’i firmoste.
Nuk jam ky, nuk jam më ai që isha. Tani quhem Sir Alfred Merhan e nuk jam iranian. Babai im ishte suedez. Nëna, daneze.
Aeroporti u bë përfundimisht streha e tij. Sir Alfred u ndihmua dhe u trajtua me simpati nga i gjithë stafi i aeroportit. Po ashtu iu rezervua trajtim preferencial për të përfituar pastrim kimik e akses në dhomat e hekurosjes së aeroportit.
Historia e iranianit nuk frymëzoi vetëm Spielbergun. Para tij, në vitin 1994, regjisori francez Philippe Lioret, xhiroi “Tombé du ciel” (“Ra nga qielli”).
Ndërkohë, dy vjet pas filmit të Spielbergut, më 2006-ën, Sir Alfred u largua nga aeroporti. Fillimisht u drejtua për në spital e më tej në strehën Emmaus. Me kursimet e mbledhura jetoi në hotel, deri disa javë para se të kthehej për të mbyllur sytë në shtëpinë e preferuar, në aeroport.
Top Channel