Opozita 180 minuta protestë në bulevard/ Meta: Shpopullimi axhenda e Rilindjes! Berisha: Rama armik i lirive tona, e ka vendin në burg

12/11/2022 18:57

Sali Berisha tregoi se nuk i ka numrat në Parlament por i ka në shesh. Këtë herë në krah kishte dhe Ilir Metën.

Edi Rama ishte në Paris në kohen kur dy kundërshtarët e tij politik protestonin poshtë zyrës së tij dhe i parashikonin të ardhmen politike.

“T’i presim biletën. Për ku? Për aty ku e ka vendin. Ndaj dhe slogani juaj:“Edi Rama, o hajdut, boll vodhe, shko në burg”, do bëhet realitet.”- tha Berisha

“Sot tradhëtoi e ndjek këtë miting të fitores, nga charteri luksoz dhe i paligjshëm dhe shumë shpejt do të jetë para drejtësisë, sipas ligjeve të tij, sipas firmave që ka hedhur vetë ai.”- tha Meta.

Në tubimin e opozitës dominuan mesazhet dhe jo forca. I vetëdijshëm për raportin e vështirë me ndërkombëtarët Sali Berisha u kujdes dhe për ta.

“Mos mbështesni Edi Ramen nuk do ketë stabilitet pa votën e lire.”

Revolucioni i shtatori trokiti ne nëntor. Paralelisht me protestat, opozita po përgatitet jo vetëm për zgjedhje lokale por edhe ato të përgjithshme.

“I garantojmë se janë të gjithë potencialet për një paketë antikrizë që çmimet të mos jenë kurrë më të larta se në Kosovë e Maqedoni, që rrogat të dy dhe trefishohen, që nafta të ketë çmimet si në vendet përreth.”– tha Berisha.

Takimi i radhës u la për në Parlament por pa dhënë datë. Protesta e dytë kombëtare e rezultoi e qetë dhe pa akte dhune, përjashtuar një incident në mbyllje të saj kur protestuesit u ftuan që të ndezin qirinj për jetët e humbura në duart e policëve. Një i ri u shoqërua ndërkohë policia njoftoi se 25-vjeçari kishte probleme të shëndetit mendor dhe u ndalua pasi kishte në dorë një mjet prerës.

Ora 19:10 Meta: Sot u hodh një hap përpara për garantimin e llogaridhënies, për Ramën të parin e gjithësecilin

Menjëherë pas përfundimit të protestës, Ilir Meta iu drejtua selisë së Partisë së Lirisë. Në një prononcim për mediat, Meta tha se sot u hodh një hap përpara llogaridhënies, ndërsa u shpreh se protestat do të vijojnë pa mbarim.

“E kemi bërë të qartë protestat do vijojnë pambarim. Protesta dhe zgjedhje, zgjedhje dhe protesta, Edi Rama pa asnjë diskutim është i detyruar të dëgjojë këngën e numërimit mbrapsht,nuk ka asnjë lloj legjitimiteti, është një shpresëvrasës, për popullin, për të rinjtë e të rejat. Kjo ndodh për shkak të kapjes së shtetit dhe goditjes që i ka dhënë pluralizmit politik. Sot jam i sigurtë se është hedhur një hap përpara për garantimin e llogaridhënies, për Ramën të parin e gjithsecilin.”- u shpreh Meta.

Ora 18:58 Tensione te kryeministria, protestuesit shkelmojnë derën dhe hedhin bojë të kuqe

Nuk ka shpëtuar pa tensione dhe incidente protesta e thirrur sot nga opozita. Pas përfundimit të fjalimit të Ilir Metës dhe Sali Berishës, qytetarët u ftuan të ndezin qirinj te kryeministria, por aty nisën tensionet.

Pasi thyen kordonin e policisë ata nisën të gjuanin derën e kryeministrisë dhe hodhën bojë në godinë. Madje forcat policore kanë shoqëruar një person deri më tani. Ndërkohë një pjesë e paktë në numër kanë ndezur qirinjtë para godinës së kryeministrisë në kujtim të personave të mbetur të vdekur në duart e policisë si Klodian Rasha dhe Lear Kurti.

Ora 18:50 “Edi Rama o hajdut boll vodhe shko në burg”, Berisha-partnerëve ndërkombëtarë: Mos e mbështesni, nuk do ketë stabilitet pa votë të lirë

“Të gjitha që i ka ndërtuar, i ka ndërtuar bazuar në votën e lirë, në kushtetueshmërinë, zbatimin e ligjit, sot ju bëj thirrje, mos mbështesni regjimin e Edi Ramës sepse është armik i votës së Lirë të shqiptarëve, çdo mbështetje për të është ndëshkim për shqiptarët, nga ky shesh ju deklaroj se Shqipëria nuk do të ketë kurrë stabilitet pa votën e lirë. Stabiliteti dhe bota, shpresa, besimi dhe e ardhmja do të jenë të pandara. Atyre që shohin shqiptarët të largohen me mijëra nga vendi dhe që mendojnë se vërtetë largohen nga varfëria, ruani fondet tuaja e mos ja jepni kësaj qeverie sepse vidhen nga qeveritarët dhe Rama. Sot si në asnjë komb tjetër shqiptarët çdo fatkeqësi natyrore, çdo krizë e përjetojnë si dramë dhe tragjedi kombëtare dhe kjo vetëm për një arsye se Edi Rama i vjedh ata. Në 26 nëntor Shqipërinë e goditi një termet i rëndë ku dhanë shpirt 51 qytetarë, që të gjithë u lanë aty, fondet e tyre u vodhën. Jetojnë në çadra e në kontejnerë, ministrat porosisin byfteqe 1 mijë dollarë, sepse vjedhin dhe vetëm vjedhin, sot Kontrolli i Lartë i shtetit ka gjetur se kjo qeveri ka vjedhur 8.2 mld euro në shtatë vite. Këto nuk janë të vetmet. Janë miliarda euro që po vjedh Edi Rama dhe banda e tij. E vërteta është se vjedhja më e madhe ishte e shpresës dhe besimit, i topiti, i bëri që të mbetën në hallin e tyre ndaj dhe ky miting është sirenë e fuqishme e shpresës për çdo shqiptarë të bashkohet me ne që Edi Ramës ti shkurtojmë ditët e ti presim biletën për aty ku e ka vendin. Edi Rama o Hajdut boll volle shko në burg do të bëhet realitet. Dhjetë vite premtime e mashtrime, por sot i ka ardhur fundi, Ramës nuk i beson më njeri, ka lënë mënjanë premtimet e ka nisur me sharjet, ju jeni burra e gra fisnike, ai që vjedh bën e thotë gjithçka ndaj do e çojmë sa më parë aty ku e meriton. Shqipëria sot është një vasale e të tjerëve, vendimet merren në Beograd por edhe në Ankara. Shkollat mbyllen, të gjitha këto do të marrin fund, u themi partnerëve se vetëm një Shqipëri sovrane do të mund të qëndrojë në përputhje me ligjin ndërkombëtar për interesat e saj. Siç e trajtoni ju Shqipërinë e Ramës punoni kundër Shqipërisë. Për të gjithë shqiptarët në këtë shesh kam një apel, nëse duan të votojnë të lirë të bashkohen me ne në betejën vendimtare.”

Ora 18:41 Sali Berisha: Para 30 vitesh thirrëm “vdekje komunizmit”, sot le të thërrasim “vdekje monizmit”

“Ai që të merr shpresën, besimin dhe forcën e të ardhmes së njeriut. Ai që të merr votën të ka marrë edhe vendin. Njeriu që nuk voton I lirë është njeri të cilit vendi nuk i duket më vend i tij, ai mendon se toka e të parëve të tij nuk do jetë më djepi i fëmijëve të tij, kopshti ku do lulëzojnë ëndrrat e tij dhe fëmijëve të tij. Kjo është gjendja e Shqipërisë sot. Edi Rama me rrëmbimin e votës ka vendosur monizmin e plotë ndaj dhe ju ftoj sot nga ky shesh të brohorasim njësoj si 30 vite më parë kur brohorisnim vdekje komunizmit, sot të themi vdekje të monizmit.

Edi Rasma monizmin tënd do ta arkivojmë se bashke me ty, por ti e ke vendin në burg, në regjim special dhe atje do të të çojmë. Këto kohë mediat e Britanisë, Evropës kanë shkruar se shqiptarët ikin nga varfëria, shqiptarët janë të varfër por mos harroni se janë njerëzit më të vjedhur të Evropës dhe planetit. Asnjë komb nuk ka si një Shqipëri njerëz të vjedhur deri në palcë nga qeveritarë të pangopur që nuk kanë ligje e kushtetutë, kanë vetëm kodin e mafias, vjedhjes dhe dëbimin e shqiptarëve nga Shqipëria. Ai bën të skuqen me fjalorin e tij, çdo fëmijë, çdo prind kudo që është. Tani do t’i them këtu para jush. Për atë gjuhë mund të përgjigjemi ty në të gjitha mënyrat që ti e meriton, por po të komunikoj sonte këtu, vendimi është marrë. Atje do vijë gjykatësi sovran, këto burra dhe gra priti aty se i kanë dy fjalë me ty.”

Ora 18:30 Berisha: Sot jemi popull i gomoneve. Rama armik i lirive tona

“Qytetare dhe qytetarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë. Shqiptare dhe shqiptarë në Shqipëri dhe kudo që jeni sonte, përshëndetjet më vëllazërore nga ky miting i jashtëzakonshëm, nga ky cunam i lirisë së shqiptarëve. Nga këta qindra-mijëra djem e vajza, burra dhe gra, që po shqyejnë sot me fuqinë e tyre bulevardin dhe rrugët e Tiranës.

Ne mblidhemi sot këtu kur në njëlloj si 32 vite më parë, bota na shef si njerëzit e gomoneve. Ndaj dhe të ndalemi për një moment se pse ne sot pas 32 vitesh u bëmë sërish njerëzit e gomoneve. Mos vallë e ka fajin Shqipëria? Jo, kurrën e kurrës. Nuk ka vend të bekuar si kjo tokë, nuk ka vend më të pasur se ky vend. Por shqiptarët janë sot populli i gomoneve sepse dikush, dhe ky dikush është Edi Rama, ju ka grabitur votën, ka shndërruar lirinë e tyre në iluzion, ka shndërruar votën e tyre në votë kallp, në votë fiktive vetëm e vetëm që të qëndrojë në pushtet.

Ky armik i lirisë sonë, ky armik i votës suaj, nuk njeh ligj, nuk njeh Kushtetutë, nuk njeh moral, nuk njeh asgjë dhe është vërsulur me të gjithë makinerinë e narkoshtetit që t’u rrëmbejë shqiptarëve votën, dhe bashkë me votën, dinjitetin, besimin, shpresën.”

Ora8:14 Ilir Meta merr fjalën në podiumin e protestës: Në himnin tonë nuk ekziston fjala dorëzim, vetëm tradhtar! Ai po na ndjek nga charteri

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka marrë fjalën në podiumin e protestës opozitare të thirrur prej tij dhe Sali Berishës ku janë mbledhur mijëra qytetarë. Meta e quajti kryeministrin Rama tradhtar që sipas tij ka ikur dhe e sheh këtë protestë nga ‘charteri luksoz dhe i paligjshëm’.

“Grabitqarët e Rilindjes detyrojnë qytetarët të paguajnë borxhe miliarda euro që vetëm janë vjedhur dhe nuk kanë prodhuar asgjë përveç varfërisë dhe mjerimit.

Të gjithë peshën e krizës, Qeveria ia ka faturuar popullit përmes mosrritjes së pagave dhe pensioneve, përmes taksave të reja shtesë.Ajo nuk ka vullnet për indeksimin e pagave dhe pensioneve spese ka prioritet të vazhdojë të vjedhë dhjetra milionë euro për inceneratorin e Tiranës, që nuk ekziston, sepse I duhet të vjedhë me shtatë PPP e reja; sepse qindra milionë euro do paguhen për arbitrazhet e gjyqet e humbura nga korrupsioni rilindjes.”tha Meta

Ndër të tjera, Meta kujtoi edhe marrëveshjen e firmosur me PD për zgjedhjet e 14 majit.

“Të nderuar qytetarë fjala juaj është ligj, fjala juaj është urdhër për veprim, fjala juaj është mision, fjala juaj është e vërteta e padiskutueshme e popullit.

Së bashku me Partinë Demokratike kemi firmosur një marrëveshje historike për tu dhënë një herë e përgjithmonë të gjithë fuqinë për të qenë Zot të vendit tonë: Referendumin! Përpara për të shpëtuar flamurin tonë kombëtar.” -tha Meta.

Ora 17:55 Besart Xhaferri, Kryetar i FRPD: Rilindja ktheu atdheun në sulltanat

Për fat të keq, atdheu ynë është rikthyer në një sulltanat përsëri! Rilindja e vertete e Frasherllinjve zhduku sulltanatin, ndërkohe rilindja e rreme e Edi Rames na e risolli perseri! Ka ardhur koha per ta çliruar perseri Shqipërinë nga ky sistem i ndyre:

Qe kerrusi shpinën e cdo shqiptari te ndershem! Qe loti ia lagu faqen çdo nene qe detyrohet ti thote mirupafshim evlatit te saj!

Qe deboi 750.000 bashkeatdhetare! Qe perbalti perseri fjalen Shqiptar ne parlamentet e Europes! Qe po mundohet te kthehet ne sistem te perjetshem!  Por jo!!! Shqiperia ka Zot!

Ora 17:42 Bardh Spahia: Protestë e pandalshme deri në dorëheqjen e Ramës

Era e ndryshimit nisi nga Shkodra dhe kam bindjen se me këtë kurajo për të mos u dorëzuar, era e ndryshimit po fryn në të gjithë Shqipërinë. Sot është një ditë e bukur lirie por nuk mjafton nëse ne e lëmë me kaq. Protesta jonë duhet të jetë e pandalshme deri sa ky kryeministër të japë dorëheqjen dhe ti hapë rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ne sot jemi shndërruar në popullin e gomoneve se vota vidhet e manipulohet.

Vetëm vitin e kaluar nga Shkodra u larguan 5 mijë qytetarë, këtë vit ky numër është disa herë më i madh. Nuk na duhet të ikim ne nga vendi, është koha që të ikë Qeveria. Është koha që të rikthejmë shpresën. Ne e dimë që nëse qëndrojmë indiferencë asgjë nuk ndryshon. Reagimi është i vetmi opsion. Ne duhet të rezistojmë, duhet të luftojmë, duhet të protestojmë. Qeveria ka frikë nga ne, nga populli i zemëruar nga korrupsioni. Ata duan të na shohin të thyer, të lodhur, të ndarë. Ne sot jemi të bashkuar, jo vetëm demokratët. Ne sot këtu jemi me kokën lart dhe me zërin tonë të fortë kërkojmë ndryshimin që po vjen.

Ora 16:28 Nga Topalli, Noka e Salianji/ Deputetë e ish-deputetë në protestë, në bulevard edhe disa prej aleatëve të opozitës

Protesta që po mbahet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ka bërë bashkë deputetë e ish-deputetë demokratë, si dhe aleatët opozitarë. Ata janë mbledhur në protestën e thirrur nga Sali Berisha e Ilir Meta, për të protestuar kundër qeverisë, ndërsa disa prej tyre pritet edhe të mbajnë fjalim në podium. Jozefina Topalli, Famur Noka, Xhelal Mziu, Ervin Saljani, Rudina Hajdari, Oerd Bylykbashi, Luçiano Boçi, Bardh Spahia janë disa nga deputetët e ish-deputetë që janë pjesëmarrës në opozitë. Nga aleatët opozitarë janë Agron Duka, Dashamir Shehi dhe Fatmir Mediu.

Ora 17:26 Kantautori Renis Gjoka: T’i japim edhe një shans vetes për brezin e ri

Kohët e fundit shpresa po venitet. Shumë nga ne janë dorëzuar. Dorëzim demonstrativ. Dorëzim pa kushte. Tregues kryesor janë gati 1 milion shqiptarë që kanë ndërruar prefiksin ne numrin e telefonit vetëm këto pak vite të fundit. Kanë ikur jashtë.

Nëse duam qe te ulim kokën nesër përpara fëmijëve tanë kur te na pyesin pse nuk luftuat për ne, atehere shpërndaheni qe tani, përndryshe, do te doja shume qe t’i japim dhe një here një shans vetes tone për brezin e ri. Për ata qe momentalisht janë te pafuqishëm për te reaguar. Për ata qe do na shohin ne sy nesër e do na përbuzin për shansin qe kishim për te ndryshuar jetën tyre, dhe nuk e bëmë.  Me Zotin ne krah e me kokën lart, le ti japim dhe një here mundësinë vetes, qe nesër kur te përballemi me fëmijët tanë te bere burra e gra, te na thonë Faleminderit!

Ora 17:35 Drejtuesi i Departamentit te Diaspores, Indrit Hoxha: Një politikë e kthimit angazhimi i PD

Jemi vend i NATO-s, jemi në mes të Evropës, jemi vend kandidat për BE dhe megjithatë shqiptarët ikin a thua se ka luftë si në Afganistan, apo në Siri apo në Irak. Shifrat e Eurostat për lejet e qëndrimit, dramat, reportazhet, gomonet, fabulat drejt ishullit britanik apo kudo tjetër e bëjnë drithëruese referencën me shqiptarët 32 vite pas rënies së komunizmit, tre dekada e gjysmë gati pasi ne u ndamë nga shoqëria e së keqes. Por pse?! Pse sidomos pesë apo dhjetë vitet e fundit ne po ikim dhe po ikim, dhe po vazhdojmë të ikim….

Kundrejt të gjitha rrethanave të favorshme ku gjendet Shqipëria dhe ku Partia Demokratike ka kontribuar aq shumë siç janë anëtarësimet në organizmat ndërkombëtarë deri dhe në NATO, siç janë liberalizimi i vizave, dy nga arritjet më madhore ndërkombëtare të integrimit të Shqipërisë, ne përsëri ikim me ritëm të shtuar gjithnjë dhe më shumë.

Shkaku është kjo ndërtesë këtu, ose më saktë banori i përkohshëm i kësaj ndërtese të cilit sa më shumë t’ja shkurtojmë ditët e qëndrimit aty, aq më mirë është për ne.

Për një politikë të kthimit është angazhimi madhor i Partisë Demokratike në programin e saj  dhe këtë do ta fillojmë që me pushtetet lokale, me njësitë lokale deri në përmbysjen finale të Edi Ramës.

Ora 17:20 Studentja në protestë:  Dilema e çdo dite, ku do të shkojmë pas studimeve? 

“Une jam Kjara Mamushi, 20 vjece, studente ne vitin e 3 ne degen Informatike Ekonomike.

Sot po flas vetëm për udhëkryqin e madh ku gjendem unë dhe shumë bashkëmoshatarë. Te vazhdoj studimet dhe te kontribuoj për zhvillimin dhe integrimin e vendit tim, apo te konsideroj çdo mundësi për te ikur jashtë, ne mënyre qe te siguroj kushtet e bashkëmoshatareve të mi ne Europë.

Kryeministri justifikohet për gjithçka, dhe ka shpikur një kopil të cilit ia hedh fajet dhe e quan ‘luftë në Ukrainë’. Ku do të shkojmë pas studimeve? Mundesia per t’u punesuar si profesionist i fushes ne te cilen ke studiuar hollohet përditë.

Ora 17:15 Aktivisti Kalaja: Sot shqiptarët po ikin nga sytë-këmbët, një axhendë e paramenduar

Deri para pak kohësh të flisje për shpopullimin, të quanin të çmendur. Sot shqiptarët po ikin nga sytë-këmbët. Po braktisin trojet. Këtu nuk kemi të bëjmë me një rastësi, por me një axhendë të paramenduar. Prandaj duhet të meremi me politikë, jo vetëm se po qeverisemi nga inferiorët, por se këta kanë një plan që të na përzënë të gjithëve.

Ty të grabisin tokën që s’e punon. Ty të shembin shtëpinë. Ty s’të fusin në punë. Ty të vrau policia. Ne na kanë vrarë shpresën. Të gjithëve po na nxijnë jetën!

Ne nuk do t’a pranojmë eksperimentin që po gatuhet në atdheun tonë. Nderi i të parëve na thërret. Gjaku i të parëve na thërret. Çfarë patriotësh jemi ne, që nuk e bëjmë Shqipërinë nje vend më të mirë!

Ora 17:10 Lili Sula, Drejtuese e Departamentit të Arsimit në PD: Nga viti në vit po pësojnë rënie të ndjeshme të numrit të studentëve

Jam pedagoge prej shumë vitesh e shoh me keqardhje se si sistemi arsimor në vendin tonë prej kohësh ka prekur fundin. Buxheti aktual i arsimit është 3.1 % i PBB, shumë larg buxhetit 5 % që është premtuar e ndërsa  vitet shkojnë, qeveria ecën mbrapsht; pasi mbështetja financiare që qeveria i kushton arsimit është më e ulët se buxheti  3.4%, i 10-12 viteve më parë.

Edhe arsimi i lartë është në rënie të lirë e Ministria e Errësimit, përveç fotove në rrjete sociale, as që tregon vëmendje. Ligji i Arsimit të lartë i miratuar me 2015 me shumicë kartonësh – edhe pse u kundërshtua nga të gjithë faktorët e interesit brenda e jashtë vendit—çdo ditë e më shumë tregon së është i dështuar në realitetin tonë universitar.  Po jap vetëm një shembull:

Lëvizja universitare kërkoi dhe kërkon t`i rikthehet autonomia dhe liria akademike universiteteve, që përbëjnë themelet e tyre, kërkoi vëmendje për degët e studimeve albanologjike, që shënojnë identitetin tonë kombëtar, të cilat nga viti në vit po pësojnë rënie të ndjeshme të numrit të studentëve, ndërkohë që një pjesë e tyre po i venë kyçin portave të dijes, thënë ndryshe kërkoi që qeveria të kthente sytë nga bota universitare e ta trajtonte me dinjitet ashtu siç i takon elitës së shoqërisë, por u ndesh me presione, intimidime e shantazhe nga më të shëmtuarat e me një ligjërim kryeministror që s`do t`i lejohej as një personi me arsim të detyruar.

Ora  17:00 Lisandër Hoxha: Të nisim serinë e protestave deri në largimin e hajdutëve

Kriza u përdor nga Rama si një kamzhik, por ne treguam se e duam Shqipërinë. Rama në bashkëpunim me Soros e Vucic, hartuan një program për të shpopulluar Shqipërinë. Këtu ka shqiptarë opozitë përballë Edi Ramës. A duhet që t’i themi Ramës se ti nuk je më kryeministri ynë. Të qëndrojmë të bashkuar dhe të nisim serinë e protestave deri në largimin e hajdutëve. Kurrë nuk do dorëzohemi.

Ora 16:52 Rudina Hajdari përlotet kur përmend të atin: Sot ju po më kujtoni shpresën e Azem Hajdarit!

Ish-deputetja e Paritsë Demorkatike, Rudina Hajdari është përlotur teksa foli në tubimin e organizuar nga opozita kundër qeverisë.  Hajdari tha se kjo protestë me aq shumë njerëz që kërkojnë shpresë i kujton asaj të atin, Azemin, për të cilin tha se kishte mision ta kthente Shqipërinë në një vend shprese.

“Beteja që kemi sot nuk është betejë e partive politike, mes militantëve, beteja është e të gjithë shqiptarëve dhe klubit të miliarderëve me në krye Edi Ramë. Ky klub po zhvat jo vetëm buxhetin me koncesione, burime natyre, jo vetëm pronën publike por është duke zhvatur ëndrrat e fëmijëve tanë për një të ardhme ne Shqipëri. Ky shesh sot është për të gjithë shqiptarët, nuk është vetëm beteja e demokratëve.

Dua t’ju bëj një pyetje, sa prej jush i kanë fëmijët sot në emigrim, çojini duar, e shikoni sa veta jemi sot në shesh. Si një mundet të rrijë një familje kur nuk paguan dot fatuar, as taksat e të gjitha detyrimet familjare. Si mundet dot një baba të jetë i qetë nuk nuk siguron dot jetesën e fëmijëve. Ju që jeni mbledhur sot këtu, më kujtoni Azem Hajdari, ai kishte mision që ta kthente këtë vend të begat. Ju më jepni shpresë që ëndrra e tij të bëhet realitet”- tha Rudina nga podium në protestë.

Ora 16:49 Pedagogu Elior Vila: Sot ky vend ka nevojë për ne

Kam kënaqësinë dhe nderin te flas këtu para jush ne kete proteste e cila përfaqëson shoqërinë shqiptare pa dallim moshe, bindjesh, profesionesh sepse kjo eshte me tepër nje proteste perbashkuese e te gjithë atyre qe mendojnë se Shqiperia dhe shqiptaret meritojnë nje te tashme dhe te ardhme me te mire. Kjo proteste eshte zëri i prindërve tanë pensioniste te cilët sot ne vend te nje jetese me dinjitet diskutojnë mbijetesën.  Eshte zëri i grave, nenave dhe motrave te cilat jo rrallëherë kane mbi supe barrën e halleve te shumta te familjes dhe qe sot me çmimet e larta me zor përballojnë fundin e muajit.

Eshte zëri i shqiptareve te ndershëm biznesmeneve, mjekeve, infermiereve, inxhiniereve, ekonomisteve dhe intelektualeve te tjerë te cilët per fat te keq sot po e kërkojnë te ardhmen diku tjetër larg Shqiperise.  Është zëri i profesorëve te cilët edukojnë te ardhmen e kombit ndaj kërkojnë dinjitet ne trajtimin e figurës dhe misionit te tyre si kudo ne bote. Është zëri i studenteve te cilët per fat te keq pakësohen çdo vit neper auditorët e universiteteve.  Është zëri i studenteve te shkëlqyer jashtë shtetit te cilët gjithnjë e me pak diskutojnë kthimin ne vendin e tyre. Ata ekselente të kualifikuar do ti mungojnë në vazhdim universiteteve dhe shoqërisë shqiptare duke thelluar krizën e ikjes se trurit.Eshte zëri i te rinjve te cilët per cdo dite po kërkojnë shpresën e humbur larg nesh duke menduar se ky eshte nje vend ku nuk ja vlen te jetohet.

Dua tju bej thirrje te gjithë kolegeve, intelektualeve, studenteve dhe gjithë Shqiptareve se ky vend sot ka nevoje per ne dhe mund te ringrihet vetem nga ne. Le te jemi te gjithë bashke kundër padrejtësive dhe te bëjmë zgjedhjet e duhura per hir te ardhmërisë se kombit tone.

Ora 16:47 Luçiano Boçi: Së bashku ta mundim të keqen që na ka pushtuar

“Ajo që na ka mbledhur sot nuk është politika, është Shqipëria është Atdheu. Është besimi se Shqipëria ka burra e gra si ju, që I dalin zot vetes, atdheut duke luftuar dhe duke u ndeshur. E di mirë vullnetin e zemërimit tuaj, ndaj jemi sot këtu bashkë për të ndezur gulcin e revoltës për rrëzimin e kësaj qeverie e këtij kryeministri. Gjithë Shqipëria sot është me ju, I ka sytë e veshët te ju, ka besim te forca juaj, qëndresa juaj. Së bashku ta mundim të keqen që na ka pushtuar, të shembin blindat që kanë burgosur lirinë tone. Besimi ynë është I madh, ky është një mision qytetar që bashkë do e cojmë deri në fund. Deri në fitore.” u shpreh Boçi

Ora 16:42 Edmond Budina: Protestat të mos ndalen deri në fund

“Jemi këtu për të treguar forcën tonë kundër mafies në pushtet, që e ka uzurpuar pushtetin dhe në kupolë ishtë mr. Charteri 22 mln. Jemi këtu të ndalojmë mafien në pushtet. Jemi këtu për t’i thënë se ne nuk jemi si ai, sepse ai Atdhe ka paranë, ai fe ka drogën, ai flamur ka shitjen e interesave të atdheut.

Mos mendojë asnjëri se prijësit tanë do na zbresin nga qielli por ne luftën do e vazhdojmë deri në fund. Jemi kundër e nuk do pranojmë. Ne jemi këtu për t’I thënë jo drogës, jo shpopullimit, jo shpërbërjes, jo varfërisë, jo drogës, jo mafies deri në fund. Unë personalisht ju ftoj që protestat tona të mos ndalin asnjëherë deri në fund, me forcë, të luftojmë e të mos kemi një mosbindjes civile kundër mafies.”- u shpreh Budina.

Ora 16:35 Ilir Meta lë selinë: Protesta dhe zgjedhje, kjo është një pranverë demokratike që nuk ndalon

“Një ditë e jashtëzakonshme. Ju e shikoni sa paqësore është atmosfera. Nuk ka asnjë rëndësi, Rama ka qindra udhëtime me charter vjedh cdo sekondë shqiptarët pa qenë nevoja të jetë në Shqipëri. Është ugjente largimi dhe shporrja e tij.

Si mund të kesh një raport me një njeri që I ka vënë kazmën demokracisë. Poshtë zyrës së tij dalin fëmijët, prindërit, 105 mijë biznese kanë falimentuar.  Protesta dhe zgjedhje, kjo është një pranverë demokratike që nuk ndalon.

Qytetarët janë të ndërgjegjshëm që ky është vendi I tyre dhe kryeministria parlamenti, e gjithcka u takon atyre. Edhe bashkia shumë shpejt do I kthehet atyre. Nuk jemi të shqetësuar jemi të bindur në mbarëvajtjen e kësaj proteste.” -u shpreh Meta.

Ora 16:30 Fotot/ Protestuesit nisin tubimin në shesh, gomone e pankarta në duar

Ka nisur para pak minutash tubimi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ku qytetarë nga i gjithë vendi i janë përgjigjur thirrjes së Sali Berishës dhe Ilir Metës për protestën kundër qeverisë.

Me vete protestuesit kanë  marrë  edhe një  gomone, që  simbolizon ikjen e shqiptarëve çdo ditë drejt Britanisë së Madhe. Gazetarja Elda Menga ka bërë me dije se do të jenë rreth 20 folës, shumica nga shoqëria civile që do të marrin fjalën e tyre në podium. Peshën kryesore të fjalës do ta kenë dy liderët e Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë, Sali Berisha e Ilir Meta.

Ora 16:24  Opozita vjen e përgatitur në protestë, përgjegjësit për mbarëvajtjen e tubimit krijojnë kordon para kryeministrisë

Partia Demokratike e Shqipërisë po zhvillon një protestë pasditen e sotme në kryeqytet, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Tubimi ka nisur rreth orës 16:00 dhe opozita është parapërgatitur për shmangien e incidenteve, ku përgjegjësit për mbarëvajtjen e tubimit kanë krijuar një kordon pranë kryeministrisë.

Gazetarja Elda Menga ka bërë me dije se do të jenë rreth 20 folës, shumica nga shoqëria civile që do të marrin fjalën e tyre në podium. Peshën kryesore të fjalës do ta kenë dy liderët e Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë, Sali Berisha e Ilir Meta.

Protestuesit mbajnë në duar flamurin amerikan, dhe postera të ndryshme me mesazhe kundër qeverisë, korrupsionit dhe vështirësimit të jetës për shkak të krizës.

Ora 15:00 Opozita proteston sot në bulevard

Detaje nga organizimi janë mbajtur të fshehta, por gazetarja Elda Menga mëson se do të jenë rreth 20 folës, shumica nga shoqëria civile që do të marrin fjalën e tyre në podium. Peshën kryesore të fjalës do ta kenë dy liderët e Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë, Sali Berisha e Ilir Meta.

Do të jetë më shumë një protestë e mbushur me mesazhe.

Protestuesit mbajnë në duar flamurin amerikan, ndërsa protesta është planifikuar të përcjellë disa mesazhe kundër qeverisë, korrupsionit dhe vështirësimit të jetës për shkak të krizës.

Gjatë ditës, disa protestues janë parë teksa kanë ngjitur pankarta me foton e kryeministrit Edi Rama në tabelën e sinjalistikës rrugore në kryeqytet.

Ndërkohë, policia po rreshtohet në mbrojtje të institucioneve ndërsa Kryeministrisë i janë vendosur dyert e hekurta. Opozita ka dy orë leje për të protestuar, por organizatorët shprehen se do të jenë në shesh për sa kohë aty do të ketë protestues.

FOTO GALERI
2/63

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA