Ilir Meta merr fjalën në podiumin e protestës: Në himnin tonë nuk ekziston fjala dorëzim, vetëm tradhtar! Ai po na ndjek nga charteri

12/11/2022 18:14

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka marrë fjalën në podiumin e protestës opozitare të thirrur prej tij dhe Sali Berishës ku janë mbledhur mijëra qytetarë.

Meta e quajti kryeministrin Rama tradhtar që sipas tij ka ikur dhe e sheh këtë protestë nga ‘charteri luksoz dhe i paligjshëm’. “Vidh, shpopullo, shkombëtarizo”, Rilindja në 10 vite bëri të kundërtën e premtimeve që erdhi në pushtet”- tha ndër të tjera Meta në fjalimin para mijëra qytetarëve të mbledhur në protestën kundër qeverisë.

Fjalimi i kreut të PL, Ilir Meta.

“Jeni ju që mbani këtë vend në këmbë me mundin, djersën dhe sakrificat e panumërta që bëni. Jeni ju, që keni të drejtë t’i kërkoni llogari deri në një qeverisë për gjithçka, sepse jeni ju që e mbani qeverinë dhe shtetin me taksat që paguani.Jeni ju që keni të drejtën të largoni Qeverinë kur drejtuesit e saj grabisin, vjedhin dhe shesin atdheun siç bëjnë Rama dhe Rilindja. “Rilindja” që ka vetëm një axhendë: “Vidh – Shpopullo – Shkombëtarizo” Rilindja në 10 vite bëri të kundërtën e premtimeve që erdhi në pushtet.

Premtoi qeverisje me duar të pastra dhe transparente dhe sot jemi vendi i parë në Europë për korrupsion dhe i dyti në botë për rryshfet. Shtëpia e tyre e parë nuk është Shqipëria, por offshoret ku kanë fshehur lekët tuaja, nën emrin e tyre dhe të miqve të tyre. Premtoi 300 mijë vende të reja pune, por dëboi mbi 740 mijë shqiptarë.Shqipëria ka numrin më të madh të të burgosurve në vend dhe jashtë vendit. Po kështu, Tirana është kryeqyteti i parë në botë, për numrin e gjobave që u vihen qytetarëve. Premtoi luftë kundër varfërisë, por sot 67% e popullsisë jeton me të ardhura më pak apo deri në 5.5 dollarë në ditë.

Për të varfërit Rilindja ka vetëm dy alternativa: ose nënshtrimin, ose dëbimin. Drejtësia e Rilindjes dënon me burg qytetarët që nuk paguajnë dot energjinë, por nuk vepron ndaj drejtorëve të saj që vjedhin miliarda duke e shitur shumë herë më lirë dhe duke e importuar shumë herë më shtrenjtë.Drejtësia e Rilindjes arreston 82-vjeçaren në fshatin e Vlorës për një kotec pa leje, por garanton amnisti për katet dhe pallatet pa leje në mes të Tiranës.

Legalizimin falas që premtoi para se të vinte në pushtet, e beri vetëm për më të pasurit dhe më të fortit. Për më të dobtit zgjodhi ruspat për tu shembur shtëpitë dhe nuk ua kurseu as gazin helmues nënave me foshnjë për ti nxjerrë dhunshëm në rrugë të madhe. “Rilindja” premtoi luftë kundër drogës, por sot “bananet” e drogës po përmbytin Shqipërinë dhe Europën. Rilindja premtoi luftë ndaj pastrimit të parave dhe e futi Shqipërinë në listën e zezë të pastrimit të parave dhe  kërkon të bëjë “amnistinë fiskale” për të pastruar lekët e saj.Premtoi të pastronte qytetet, por u zhyt në babëzinë e aferës së inceneratorëve, që gllabëroi qindra milionë euro. Premtoi të “rilindte” trashëgiminë kulturore, por shembi në mes të natës dhe të pandemisë Teatrin Kombëtar, dhe po i rrëmben dhe shkatërron të gjitha pasuritë e çmuara të trashëgimisë kulturore.

Edi Rama premtoi se do të jetë kampion i fjalës së lirë, por sot është armiku më i madh i fjalës së lirë dhe medias së pavarur në Europë. Arsimi është pasqyra e vërtetë asgjesuese, për të kuptuar se sa e urren “Rilindja” dijen dhe kulturën.

Sepse ai ka alergji nga dija, nga intelektualët, nga mendimi i lirë dhe kritik.Sepse vetëm një shpirtzi nuk ka dhembshuri kur sheh fëmijë të protestojnë me lot në sy poshtë zyrës së tij, me një kërkesë: Na hapni shkollën! Na hapni kopshtin!

Jemi këtu për ti dhënë fund dramave familjare ku prindërit  ulin sytë p֝ërpara fëmijëve sepse nuk u plotësojnë dot as kërkesat për lodra, libra, veshje dhe ushqim. Kur prindërit ulin sytë para fëmijëve se nuk u shpjegojnë dot pse u mbyll kopshti apo shkolla e tyre. Jemi këtu për të kërkuar llogari deri në fund se pse: Ndërsa pensionistët marrin thërrime, Edi Ramës vetëm udhëtimet me Chartëra i vlejnë dhjetra milionë euro.

Nëse paga vjetore e mësuesit në Mal të Zi vetëm pak metra matanë Bunës është 9900 Euro, i mësuesit në Shqipëri që është më i keqpaguari në rajon, është 4200 euro. Përse pedagogët në Kosovë paguhen 50% më shumë se në Shqipëri?

Përse Kosova jep 100 euro në muaj ndihmë për çdo pensionist ndërsa Shqipëria vetëm 10 mijë lekë të vjetra. Përse Kosova jep 100 euro për çdo student ndërsa Shqipëria nuk jep asgjë kur vetëm qiratë e banesave janë rritur. Sepse në Kosovë, bëhen hapa përpara në zbatimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, ndërsa Shqipëria është e fundit në jo vetëm Ballkan por dhe ne bote për zbatimin e ligjin.

Përse ikën një qytetar nga Serbia për 1 mijë banorë, ndërsa ikin 12 nga Shqipëria, sepse në Shqipëri një km rrugë e re kushton 6 herë më shtrenjtë se në Serbi, dhe 8-10 herë më shtrenjtë se në BE. Përse çmimi i naftës në Maqedoni, Mal të Zi e Kosovë është shumë më i ulët se në Shqipëri, e cila prodhon naftë? Përse vaji, mielli, buka, ushqimet bazë të mbijetesës janë shumë më të lira në Maqedoni e  Kosovë se sa në Shqipëri? Përse qytetarët e Peshkopisë, e Maqellarës, apo të Pogradecit i blejnë ushqimet në Maqedoninë e Veriut, ku janë shumë më lirë edhe pse pagat atje janë shumë më të larta se sa këtu. Sepse miliardat e buxhetit  grabiten me koncesione, PPP e tendera sekrete me dhjetfishin e çmimit dhe asnjë lek nuk shkon për qytetarët. Sepse qindra milionë euro të ardhura që vijnë nga rritjet e çmimeve, gllabërohen nga  PPP pa fund dhe asnjë lek ndihmë nuk u jepet qytetarëve. Mbi shpatullat e qytetarëve bie pesha e borxhit shumë të rëndë publik që ka arritur gati 14 miliardë Euro, që po e çon vendin drejt greminës financiare.

Në vitin 2013 borxhi publik ka qenë 62.4%, ndërsa sot, është 107%. Nëse Maqedonia e Veriut e shlyen borxhin e saj me 1 vit eksporte, në Shqipëri nevojiten 13 vite eksporte, sepse ky merr borxhe për të shlyer borxhe, që ky të fluturojë në luks dhe shqiptarët të zhyten në mjerim.  Qeveria e kapur për gryke nga oligarkë mafia po bën gjithçka që të asgjësojë prodhimin vendas me taksa të reja dhe akciza të jashtëzakonshme dhe po godet pa mëshirë shtresën e mesme, që ti dobësojë e ti detyrojë të largohen nga vendi. Prej kohësh Rilindja i ka shpallur luftë shtresës së mesme.

Akti më i fundit nuk kurseu as profesionet e lira.  Përfitimi vjetor nga kjo taksë e re e shtuar për profesionistët e lirë është vetëm 17 milionë, ose sa vlera e 700 metrave rrugë të re, sipas standarteve të Rilindjes. Grabitqarët e Rilindjes detyrojnë qytetarët të paguajnë borxhe miliarda euro që vetëm janë vjedhur dhe nuk kanë prodhuar asgjë përveç varfërisë dhe mjerimit.  Të gjithë peshën e krizës, Qeveria ia ka faturuar popullit përmes mos rritjes së pagave dhe pensioneve, përmes taksave të reja shtesë. Ajo nuk ka vullnet për indeksimin e pagave dhe pensioneve sepse ka prioritet të vazhdojë të vjedhë dhjetra milionë euro për inceneratorin e Tiranës, që nuk ekziston, sepse I duhet të vjedhë me shtatë PPP e reja; sepse qindra milionë euro do paguhen për arbitrazhet e gjyqet e humbura nga korrupsioni rilindjes,”- tha Meta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA