Plagosja e kryebashkiakut të Divjakës/ ”E paramenduar?” Prokurori i Lushnjës: Jemi në fillim të hetimeve

11/11/2022 12:09

Elion Mustafa, prokurori i Prokurorisë Lushnjë tha se janë në fillim të hetimeve në lidhje me plagosjen e kryebashkiakut të Divjakës, Fredi Kokoneshi dhe shoferit të tij.

“Janë organizuar gripi hetimor, ngjarja po ndiqet me dinamikë,  prokurori është në vendngjarje. Do njoftoheni në vijimësi për detajet, jemi vetëm në fillim të hetimeve”, tha prokurori.

Kokoneshi është plagosur me thikë këtë të enjte bashkë me shoferin e tij, pas një konflikti me një ish punonjës të bashkisë.

Kokoneshi pas një debati me shtetasin Orges Xhelili është goditur me thikë nga ky i fundit. Veç kryebashkiakut, i plagosur ka mbetur edhe shoferi i tij, Gazmend Bullari.

Mësohet se Orges Xhelili më herët ka punuar si punonjës IT pranë bashkisë së Divjakës.

Kryebashkiaku ndodhet në spitalin e Lushnjës, jashtë rrezikut për jetën, ndërsa do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Ende nuk janë bërë të qarta arsyet e konfliktit mes tyre, ndërsa grupi hetimor pritet të zbardhë rrethanat e ngjarjes.

Autori është kapur dhe shoqëruar në komisariat, ndërsa forca të shumta policie janë në spital, ku ndodhen dy të plagosurit.

Top Channel